Censi i Bujqësisë dhe Blegtorisë nuk do të zhvillohet gjatë këtij viti, duke u shtyrë përfundimisht për në vjeshtën e vitit 2027.

Ky proces, i cili ishte planifikuar të niste këtë muaj tetor, u pezullua për shkak të mungesës së buxhetit dhe kohës së pamjaftueshme për përgatitjet teknike dhe organizative nga ana e INSTAT.

Një faktor përcaktues në këtë vonesë ishte edhe kalimi i projektligjit përkatës në Kuvend vetëm në korrik të këtij viti, duke mos u lënë institucioneve hapësirën e nevojshme për të organizuar mbarëvajtjen e punës në terren.

Kur të nisë vitin e ardhshëm, procesi i mbledhjes së të dhënave pritet të zgjasë rreth katër javë. Për realizimin e tij do të zbresin në terren rreth 3,400 anketues, të cilët do të kenë si detyrë të regjistrojnë në detaj çdo metër tokë bujqësore që mbillet, llojet e kulturave, numrin dhe madhësinë e fermave, tufat e bagëtive, makineritë që përdoren, si dhe numrin e të punësuarve në këtë sektor.

Kostoja totale për realizimin e këtij regjistrimi thelbësor parashikohet të jetë rreth 1.08 miliardë lekë, ose e thënë ndryshe 11.7 milionë euro.

Kjo iniciativë shihet si tejet e rëndësishme për të krijuar një pasqyrë të përditësuar të bujqësisë shqiptare, marrë parasysh se Censi i fundit për këtë fushë është realizuar në vitin 2012.

Ndonëse numërimi i ri ishte planifikuar fillimisht që në vitin 2022, ai ka pësuar shtyrje të njëpasnjëshme ndër vite, duke bërë që “fotografia” e re e bujqësisë dhe blegtorisë të presë sërish.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds