Fermerët në Lushnjë po përballen këtë sezon me dëmtime të konsiderueshme në prodhimin e shegës si pasojë e çarjes së frutave. Sipas prodhuesve rreth 80% e kokrrave janë dëmtuar duke shkaktuar humbje të mëdha ekonomike dhe vështirësi për të siguruar prodhim për tregun.

Fermerët thonë se një fenomen i tillë nuk është i zakonshëm dhe se këtë vit një pjesë e konsiderueshme e prodhimit është bërë e papërshtatshme për tregtim.

Specialistët e bujqësisë e lidhin këtë fenomen me disa faktorë, ku ndër kryesorët rendisin thatësirën dhe temperaturat e larta gjatë verës, mungesën e ujitjes sistematike, por edhe mbjelljen e një numri të madh rrënjësh në raport me sipërfaqen dhe karakteristikat e kultivarëve.

Për të shmangur përsëritjen e dëmtimeve në sezonet e ardhshme, specialistët u bëjnë thirrje fermerëve të zbatojnë këshillat teknike për ujitjen dhe mirëmbajtjen e pemëve, si dhe të konsultohen me agronomët për përzgjedhjen e kultivarëve dhe masat që duhen marrë në kohë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *