Prokuroria e Posaçme ka zbardhur veprimtarinë e një prej organizatave më të mëdha të trafikut ndërkombëtar të kokainës, e cila dyshohet se ka transportuar mbi 60 tonë drogë nga Amerika e Jugut drejt Europës.

SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim 16 persona, mes tyre edhe dy drejtuesit e dyshuar të rrjetit, Ervis Çela dhe Franc Gergely, i njohur si Franc Çopja. Sipas SPAK, organizata kriminale ka vepruar të paktën gjatë viteve 2019–2021, duke trafikuar jo më pak se 60.7 tonë kokainë.

Rrjeti kishte lidhje të drejtpërdrejta me furnizues në Bolivi, Paraguaj dhe Brazil, ndërsa droga shpërndahej në Gjermani, Belgjikë, Holandë, Spanjë, Itali dhe vende të tjera europiane. Hetimet kanë zbuluar edhe ndarjen e roleve mes dy drejtuesve.

Ervis Çela siguronte kokainën në Amerikën Latine, financonte blerjen dhe organizonte transportin drejt Paraguait, madje edhe me avionë të vegjël.

Franc Çopja koordinonte transportin drejt Europës, nxjerrjen e ngarkesave nga portet dhe shpërndarjen e drogës në tregun europian. Kokaina fshihej në kontejnerë me mallra të ligjshme, kryesisht bojëra, stuko dhe produkte industriale.

Nga Paraguai, ngarkesat kalonin përmes Argjentinës drejt porteve europiane. Në komunikimet e zbërthyera në SkyECC dhe EncroChat, hetuesit kanë zbuluar edhe çmimet e trafikut.

Një kilogram kokainë blihej për rreth 4 mijë e 200 dollarë, ndërsa 1 mijë e 300 dollarë të tjera paguheshin si ryshfet për ngarkimin në anije. Për nxjerrjen e drogës nga portet europiane, organizata paguante deri në 15 për qind të ngarkesës.

Vetëm në pesë episode të dokumentuara, autoritetet kanë sekuestruar mbi 18 tonë kokainë, përfshirë një ngarkesë gjigante prej 17 tonësh në Hamburg të Gjermanisë. Përfitimet e dyshuara nga trafiku arrinin potencialisht në miliarda euro, ndërsa paratë transferoheshin përmes sistemit informal Hawala, pa kaluar në kanalet bankare tradicionale.

Hetimi ka goditur edhe pasuritë e të pandehurve. SPAK ka sekuestruar asete me vlerë rreth 9.2 milionë euro, mes tyre resortin Ajman Park në Durrës, një vilë një milion euro në Dhërmi, agroturizmin Solis Farm në Baldushk, prona, automjete dhe llogari bankare.

Operacioni është zhvilluar në bashkëpunim me Europol, Eurojust dhe autoritetet e disa vendeve. Hetimet vazhdojnë për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë dhe gjurmimin e pasurive të dyshuara kriminale.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *