Policia e Lushnjës ka finalizuar operacionin e koduar “Gjurmimi” duke goditur një veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje.

Në pranga ka rënë poseduesi i lëndës narkotike i cili u kap në flagrancë në automjet me 65 doza kokaine, të dyshuara se do të shiteshin.

Sipas njoftimit shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë, në bashkëpunim me strukturat e DVP Fier, finalizuan operacionin e koduar “Gjurmimi” si rezultat i administrimit të shpejtë të informacionit të siguruar në rrugë operative, për një shtetas që shiste lëndë narkotike, në doza. Në kuadër të këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi E. M., 45 vjeç, banues në fshatin Krutje e Poshtme, Lushnjë.

Ky shtetas u kap nga shërbimet e Policisë, ndërkohë që qarkullonte me automjet, në fshatin ku banonte.

Gjatë kontrollit në automjet dhe në banesën e këtij shtetasi, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan me cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin:

-65 doza të lëndës së dyshuar narkotike Kokainë në total 156 gramë të kësaj lënde, 1 armë gjahu dhe 105 fishekë për të, 2 peshore elektronike, 1 aparat celularë dhe shuma parash (euro, lekë) të dyshuara të përfituara nga shitja e lëndës narkotike.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds