Çmimet e karburanteve në vend kanë pësuar një rritje të menjëhershme ditën e sotme. Ky shtrenjtim lidhet me tensionet e vazhdueshme në Lindjen e Mesme, ku vijojnë sulmet mes palëve, duke ndikuar në rritjen e çmimit të naftës në bursat ndërkombëtare dhe duke reflektuar menjëherë efektet edhe në tregun vendas.
Konkretisht, në pikat e karburanteve në Lushnjë, një litër naftë tregtohet sot me 214 lekë, nga 206 lekë që ishte vetëm një ditë më parë. I njëjti trend rritës është vënë re edhe te benzina, e cila sot ka arritur në 199 lekë për litër, krahasuar me 189 lekë që kushtonte dje.
Kujtojmë se që nga shkrirja e Bordit të Transparencës, çmimet e karburanteve përcaktohen nga tregu i lirë. Si pasojë, çdo luhatje në tregjet ndërkombëtare reflektohet pothuajse menjëherë edhe në çmimet që paguajnë konsumatorët në vend.
Kjo situatë ka gjetur të papërgatitur drejtuesit e mjeteve dhe bizneset lokale në Lushnjë, të cilët rrezikojnë të përballen me një efekt zinxhir në rritjen e kostove të transportit dhe, më pas, të kostos së jetesës.
