Një aksident i rëndë është shënuar këtë të premte në aksin rrugor nacional Fier-Shegan – Pushimi i Shoferit, pranë kryqëzimit të fshatit Toshkëz.

Një automjet tip “Benz” dhe një furgon janë përplasur me njëri-tjetrin, ndërsa si pasojë e goditjes së fortë një person ka mbetur i plagosur rëndë. I lënduari është transportuar me urgjencë drejt spitalit të Lushnjës, ku sipas informacioneve paraprake ndodhet në gjendje të rënduar shëndetësore.

Pas përplasjes, furgoni ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në kanalin anës saj. Në vendngjarje kanë mbërritur efektivët e Policisë Rrugore, të cilët kanë nisur verifikimet për zbardhjen e rrethanave të aksidentit dhe kanë ndërhyrë për menaxhimin e trafikut.

Aksi Fier-Shegan – Pushimi i Shoferit është një segment me qarkullim të lartë, ku problematikat e infrastrukturës dhe sigurisë rrugore janë kthyer shpesh në shqetësim për drejtuesit e mjeteve. Fluksi i shtuar i lëvizjeve gjatë sezonit veror, veçanërisht nga emigrantët që kthehen në vend, ka rritur edhe numrin e aksidenteve në rrugët e vendit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds