Fieri vijon të përballet nga viti në vit me një rënie drastike të numrit të lindjeve. Sipas shefit të Maternitetit të Fierit Robert Luto, nga 2 000 deri në 2500 lindje që regjistroheshin 5 vjeçarin e fundit, tashmë numri ka zbritur në rreth 1 000 lindje në vit. Sipas tij faktorët kryesorë janë lëvizjet demografike, emigracioni, zgjedhja e spitaleve private, por edhe orientimi i një pjese të nënave drejt materniteteve në Tiranë.
Luto thekson se vitet e fundit është rritur ndjeshëm edhe numri i lindjeve me operacion cezarian, të cilat tashmë janë më të shumta se lindjet natyrale. Sipas tij, kjo nuk është një prirje që vihet re vetëm në Shqipëri, por një trend i konsoliduar edhe në shumë vende të botës.
Në rënie paraqitet edhe numri i aborteve. Nëse gjatë gjashtëmujorëve të parë të viteve 2024 dhe 2025 regjistroheshin rreth 300 raste vjetore, në 6- mujorin e parë të vitit 2026 ky numër ka arritur në rreth 100. Sipas shefit të maternitetit, pjesa më e madhe e rasteve i përket vajzave dhe grave nga zonat rurale, ndërsa ai thekson se nuk është regjistruar asnjë rast aborti tek vajzat nën moshën 16-vjeçare.
Shefi i Maternitetit të Fierit bën me dije se ky institucion vijon të presë edhe paciente nga qytete të tjera të vendit, të cilat zgjedhin Fierin për kryerjen e ndërprerjes së shtatzënisë.
