Fermerët e zonës së Mujallisë dhe Libofshës në Fier kanë mbyllur sezonin e misrit me rendimente më të ulëta dhe kosto më të larta. Mungesa e reshjeve, problemet me vaditjen dhe rritja e çmimit të naftës e plehrave kimike kanë ndikuar drejtpërdrejt në prodhim.
Fatmir Nako, i cili këtë vit mbolli 15 hektarë me misër, thotë se mori rreth 7 tonë për hektar, nga 10 tonë që kishte marrë një vit më parë. Sipas tij, në disa sipërfaqe të tjera të zonës rendimenti ka qenë edhe më i ulët, ndërsa çmimi i shitjes ka zbritur nga rreth 33 mijë në 30 mijë lekë kuintali.
Krahas rendimentit të pakēt dhe çmimit më të ulēt të shitjes, fermerët përballen edhe me kostot e larta të prodhimit. Nafta, plehrat kimike dhe punimet mekanike kanë rritur shpenzimet, ndërsa mungesa e ujit për vaditje ka rënduar më tej situatën.
Një tjetër problem mbetet mungesa e certifikatave të pronësisë dhe vështirësitë për përfitimin e subvencioneve, veçanërisht për tokat e marra me qira. Fermerët thonë se këto problematika i kanë detyruar disa prej tyre të reduktojnë sipërfaqet e mbjella.
Sipas fermerëve, me çmimin aktual të misrit, pas kostove të prodhimit, fitimi mbetet minimal. Ata thonë se në këto kushte, kultivimi i sipërfaqeve të mëdha po bëhet gjithnjë e më i vështirë, ndërsa për sezonin e ardhshëm nuk përjashtohet një tjetër reduktim i tokave të mbjella.
