Fermerët duhet të ruajnë fizikisht autofaturat e lëshuara nga grumbulluesit dhe përpunuesit për produktet bujqësore që shesin te ta, me qëllim përfitimin e kompensimit 10% të TVSH.

Sipas administratës tatimore, autofaturat e lëshuara nga grumbulluesit për blerjet te fermeri, po ruhen në një database të dhënash, të cilat do të duhet të konfirmohen online edhe nga fermeri.

Pra krahas dorëzimit të kërkesës për kompensim, fermeri duhet të konfirmojë autofaturat e ruajtura fizikisht me ato që do të shfaqen online, me qëllim shmangien e mashtrimit për transaksione fiktive.

Kërkesa për kompensim do të bëhet 2 herë në vit dhe kompensimi do të llogaritet mbi vlerën e autofaturave të lëshuara për periudhën janar-qershor dhe korrik -dhjetor.

Për periudhën e parë të shitjeve, pra janar-qershor aplikimet nisin nga 1 korriku 2026.

Pra fillimisht fermeri duhet të dorëzojë kërkesën për kompensimin në e-Albania.

Kompensimi do të përfitohet brenda 30 ditëve nga dorëzimi i kërkesës. Fermeri gjithashtu duhet të deklarojë edhe numrin e llogarisë bankare, ku do t’i depozitohen paratë e kompensimit.

Në total numri i fermerëve të pajisur me NIPT është 113,470. Për muajt janar-mars sipas të dhënave të Ministrisë së Financave numri i fermerëve të pajisur me autofatura është 5,642.

Në vitin e parë të zbatimit të skemës së kompensimit të TVSH-së efektet financiare llogariten në vlerën e 1.5 mld lekëve apo rreth 15 mln euro.

Sipas ministrit të Financave Petrit Malaj bazuar nga llogaritjet e transaksioneve të lëshuara për 3 mujorin e parë të vitit, kompensimi arrin në 400 mln lekë apo rreth 4 mln euro.

Si do llogaritet kompensimi

Masa e kompensimit do të llogaritet mbi vlerën e autofaturave të lëshuara për dy periudha, si janar-qershor dhe korrik -dhjetor.

Sipas ligjit të TVSH-së, fermerët e pajisur me NIPT nga administrata tatimore, nuk lëshojnë fatura shitje nëse shesin produktet e tyre, te persona të tatueshëm. Janë këta të fundit që lëshojnë autofatura për fermerin.

Përfitues të kompensimit do të jenë ata fermerë që nuk i nënshtrohen TVSH-së dhe si të tillë, as nuk ngarkojnë TVSH për blerësit e produkteve të tyre bujqësore, por as kanë të drejtë të zbresin TVSH-në e paguar në blerje.

Qëllimi i skemës së re të kompensimit është të mbulojë TVSH-në 10% që fermeri ka paguar për blerjen e inputeve bujqësore, si plehra kimike, fidanë dhe fara, por llogaritjet e kompensimit do të bëhen mbi vlerën e autofaturave të lëshuara për secilin fermer nga përpunuesi apo grumbulluesi.

Pra kompensimi 10% i TVSh-së së paguar për inputet bujqësore, nuk do të llogaritet direkt mbi blerjet e fermerit për plehra kimike, fidanë apo fara, por mbi vlerën e autofaturave të lëshuara nga grumbulluesi për produktet bujqësore që fermeri do të shesë te ta.

Tatimet nisin kontrollet për autofaturat

Nisur nga shqetësimet e blegtorëve për mos lëshim të autofaturave, administrata tatimore ka njoftuar nisjen e aksionit për kontrollin e zinxhirit të sektorit.

Më herët drejtues të Shoqatës së Blegtorëve Prodhues të Qumështit ngritën shqetësimin për Monitor se në shumë raste nga grumbulluesit apo përpunuesit e qumështit në zona të Lushnjës apo Beratit nuk lëshohen autofatura për blerjen e qumështit prej fermerit.

“Shumë grumbullues edhe përpunues të qumështit nuk lëshojnë autofatura për blerjen e produktit nga fermeri me qëllim që të mos shtojnë xhiron ose i lëshojnë me çmime që atyre iu duhet, me qëllim për të rregulluar bilancet.

Në këtë situatë fermerët nuk pritet të kenë përfitime nga skema e kompensimit të TVSH-së”, pohoi më herët Gentian Lalaj drejtues i Shoqatës së Blegtorëve prodhues të Qumështit.

Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, në fokus të kontrollit do të jenë verifikimet e thelluara në të gjithë zinxhirin e sektorit grumbullues dhe përpunues.

Kontroll për lëshimin e autofaturave për blerjen e produkteve bujqësore prej fermerëve. Gjithashtu kontrolli do të fokusohet edhe për evidentimin e NIPT-ve fiktive dhe aktivitetit real të grumbulluesve, përpunuesve dhe fermerëve. Administrata tatimore ka paralajmëruar masa administrative ndaj subjekteve që nuk lëshojnë auto fatura.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds