Një 70-vjeçar i identifikuar me inicialet F. B., ka humbur jetën mbrëmjen e djeshme në fshatin Fermë-Çlirim të Fierit, pasi banesa ku jetonte është përfshirë nga flakët.
Ngjarja është regjistruar rreth orës 19:00. Sipas burimeve policore, i moshuari F. B., i cili ishte i paralizuar dhe jetonte i vetëm, ndodhej brenda banesës në momentin kur ka rënë zjarri.
Dyshohet paraprakisht se shkak i zjarrit ka qenë një shkëndijë elektrike. Flakët kanë përfshirë banesën, ndërsa situata është bërë edhe më tragjike pasi çatia e saj ka rënë, duke zënë poshtë 70-vjeçarin, i cili për shkak të gjendjes së tij fizike nuk ka mundur të largohet.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet zjarrfikëse, të cilat kanë ndërhyrë për shuarjen e flakëve, ndërsa policia ka rrethuar zonën.
Pas shuarjes së zjarrit, brenda banesës është gjetur trupi i pajetë i F. B.
Grupi hetimor në vendngjarje dhe nën drejtimin e Prokurorisë kreu të gjitha veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të ngjarjes.
Pritet ekspertiza të përcaktojë me saktësi edhe shkakun e rënies së zjarrit, ndërsa paraprakisht dyshohet për një defekt apo shkëndijë në rrjetin elektrik.
Ngjarja ka tronditur banorët e zonës, ndërsa autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të këtij incidenti tragjik.
