Dy operacione policore janë finalizuar në Fier, në kuadër të kontrolleve për armëmbajtjen pa leje dhe verifikimin e automjeteve luksoze.

Gjatë kontrolleve, policia sekuestroi një armë zjarri automatike, municion luftarak dhe një automjet luksoz. Në pranga u vu një 66-vjeçar i cili posedonte armën e zjarrit në banesën e tij. Ndërkohë një 26-vjeçar, që kishte në përdorim automjetin luksoz është proceduar penalisht.

Sipas njoftimit zyrtar të policisë Shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, në vijim të kontrolleve të intensifikuara për evidentimin dhe goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative për një shtetas që dyshohej se posedonte armë zjarri në banesë, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “No Guns 5”.

Në kuadër të këtij operacioni, u kap në flagrancë dhe u vu në pranga shtetasi R. M., 66 vjeç, banues në Fier.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e këtij shtetasi, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri tip automatik dhe një krehër me 29 fishekë.

Ndërkohë, Seksioni për Hetimin e Trafiqeve në DVP Fier, në kuadër të operacionit për verifikimin e burimit të të ardhurave për blerjen e automjeteve luksoze, ndaloi për verifikim një automjet tip “Benz”.

Gjatë verifikimeve, automjeti, prodhim i viteve të fundit, rezultoi i shpallur në kërkim nga Interpol Manchester.

Për këtë rast u procedua në gjendje të lirë shtetasi E. D., 26 vjeç, banues në Mallakastër, për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike”.

Vijojnë operacionet për goditjen e veprimtarive kriminale dhe evidentimin e rasteve të armëmbajtjes pa leje dhe trafikimit të mjeteve motorike.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds