Bujqësia shqiptare po përballet me një nga momentet më të vështira të viteve të fundit, ndërsa tregu vendas po mbushet gjithnjë e më shumë me produkte të importuara. Të dhënat zyrtare nga INSTAT tregojnë se gjatë tremujorit të parë të vitit 2026, importet e ushqimeve janë rritur me rreth 19%.

Rritje është regjistruar edhe për zarzavatet dhe frutat e freskëta, me rreth 15%. Në total, importet e zarzavateve kanë arritur mbi 25 mijë tonë, ndërsa ato të frutave kanë kapur shifrën prej afro 29,700 tonësh.

Ekspertët e lidhin këtë situatë me disa faktorë kryesorë. Kushtet e pafavorshme klimatike, si përmbytjet dhe ngricat që goditën ndjeshëm prodhimin bujqësor këtë vit. Nga ana tjetër, rritja e turizmit ka shtuar kërkesën për produkte ushqimore, duke tejkaluar kapacitetet aktuale të fermave shqiptare.

Ndikim të fortë po jep edhe transformimi i tregtisë me pakicë. Zgjerimi i rrjeteve të mëdha të supermarketeve ka orientuar furnizimin drejt importeve, pasi ato garantojnë sasi të qëndrueshme dhe standarde të unifikuara, të cilat prodhimi vendas e ka të vështirë t’i ofrojë.

Ndërkohë, fermerët shqiptarë po përballen me rritje të ndjeshme të kostove të prodhimit, nga farat dhe plehrat kimike, deri tek nafta. Niveli i ulët i subvencioneve krahasuar me vendet e rajonit e bën produktin vendas më pak konkurrues, duke i shtyrë tregtarët të orientohen drejt importeve nga vende si Greqia, Turqia dhe Egjipti.

Një tjetër problem madhor mbetet edhe emigrimi nga zonat rurale, i cili ka sjellë mungesë të fuqisë punëtore dhe plakje të popullsisë në fshat. Si pasojë, sipërfaqe të tëra toke kanë mbetur djerrë, duke krijuar boshllëqe në treg që po plotësohen nga produktet e huaja.

Në të njëjtën kohë, zhvlerësimi i euros ndaj lekut ka favorizuar importet, duke i bërë ato më të lira për tregtarët vendas. Ky faktor, i kombinuar me vështirësitë strukturore të sektorit, po e vendos bujqësinë shqiptare përballë një sfide serioze për mbijetesë dhe konkurrueshmëri në treg.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds