Një zjarr i rënë mesditën e sotme ka rrezikuar djegien e një banesë në fshatin Gjazë, njësia administrative Krutje. Në momentin e rënies së zjarrit, familjarët ndodheshin në pushimin e drekës dhe janë njoftuar nga fqinjët, të cilët kanë konstatuar flakët që kishin përfshirë kavaletat me bar të thatë dhe ushqimin për bagëtitë në oborrin e banesës.
Të favorizuara nga temperaturat e larta, flakët janë përhapur me shpejtësi, duke rrezikuar banesën. Ndërhyrja e menjëhershme e forcave zjarrfikëse të Lushnjës bëri të mundur izolimin e zjarrit dhe shmangu përhapjen e tij drejt banesës dhe shtëpive përreth.
Si pasojë e zjarrit, kavaletat me ushqim për bagëtitë u dogjën plotësisht, ndërsa nuk pati persona të lënduar.
Sipas zjarrfikësve në vendngjarje dyshohet për një zjarr aksidental, pasi nuk raportohet për shkëndijë elektrike nga rrjeti.
Temperaturat e larta të ditëve të fundit vijojnë të shtojnë rrezikun e zjarreve, veçanërisht në zonat rurale, ku flakët kanë djegur sipërfaqe të mëdha me bimësi dhe kanë rrezikuar banesa e aktivitete bujqësore.
