Këshilli Bashkiak zhvilloi mbledhjen e radhës, ku u diskutuan dhe u miratuan pikat e rendit të ditës. Debatet më të forta u zhvilluan për projektvendimin e investimeve në rrugët rurale dhe për ndihmën financiare për tregtarët e prekur nga zjarri në tregun e fruta-perimeve.

Kryetarja e Bashkisë Eriselda Sefa prezantoi projektvendimin për miratimin e investimit që parashikon sistemimin dhe asfaltimin e rrugëve në njësitë administrative Allkaj, Fier-Shegan, Ballagat, Krutje, Dushk dhe Karbunarë.

Gjatë diskutimeve këshilltari i Partisë Socialiste Pirro Kallajxhiu kërkoi që krahas investimeve në zonat rurale të parashikohen fonde edhe për përmirësimin e rrugëve brenda qytetit.

Debate pati edhe për projektvendimin që parashikon përdorimin e fondit rezervë për dhënien e një ndihme financiare prej 300 mijë lekësh të vjetra për secilin tregtar të prekur nga zjarri në tregun e fruta-perimeve. Këshilltarja e opozitës Kozeta Guci kundërshtoi masën e ndihmës duke kërkuar që tregtarët të paraqesin fatura për mallin e dëmtuar, pasi sipas saj mungon dokumentacioni që vërteton vlerën reale të dëmit.

Në përgjigje Kryetarja Sefa sqaroi se tregtarët nuk mundën të paraqisnin faturat, pasi sipas tyre dokumentacioni ndodhej në treg dhe u dogj gjatë zjarrit.

Në përfundim të mbledhjes u miratuan të gjitha pikat e rendit të ditës.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds