Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, ka ngritur në Kuvend shqetësimin për mungesën e investimeve në Bashkinë e Lushnjës, duke vënë në fokus infrastrukturën rrugore dhe kushtet në spitalin e qytetit.

Gjatë diskutimit për buxhetin, Korreshi ironizoi mungesën e kryeministrit Edi Rama dhe ministrave në sallë, duke e krahasuar seancën plenare me një mbledhje të Asamblesë së Partisë Socialiste, ku sipas tij nuk mungonte askush.

Deputeti akuzoi mazhorancën se po orienton më shumë fonde drejt rritjes së pagave, ndërsa qytetarët vijojnë të përballen me mungesën e infrastrukturës dhe problemet me energjinë elektrike. Ai ngriti gjithashtu shqetësimin për detyrimet financiare të bashkisë, duke vënë në pikëpyetje përballimin e shpenzimeve të parashikuara.

Korreshi u ndal edhe te spitali i Lushnjës, për të cilin tha se nevojiten investime jo vetëm në godinë, por edhe në pajisje dhe materiale të domosdoshme për ofrimin e shërbimit shëndetësor.

Në përfundim, deputeti kërkoi më shumë vëmendje dhe financim për nevojat infrastrukturore dhe shëndetësore të Lushnjës dhe Divjakës.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds