Homazhet për ndarjen nga jeta të aktorit dhe regjisorit të njohur lushnjar Gjergji Lala u mbajtën sot në ambientet e Muzeut Historik të qytetit.

Familjarë, miq, kolegë, artdashës dhe qytetarë të shumtë iu bashkuan homazheve për t’i dhënë lamtumirën e fundit artistit duke e vlerësuar si një nga figurat më të spikatura të kinemasë dhe teatrit shqiptar dhe krenari e qytetit të Lushnjës.

Djali i tij Klaudio Lala dhe kunati Bashkim Çollaku mes dhimbjes ndanë kujtime nga jeta e tij sidomos pas emigrimit në Itali, ku Gjergji Lala vijoi karrierën artistike duke interpretuar role në filma dhe produksione italiane. Klaudio tregoi se amaneti i fundit i të atit ishte të rikthehej dhe të prehej në vendlindjen e tij, në Lushnjë.

Kolegu i tij regjisori Tahsin Demiraj mes lotëve kujtoi bashkëpunimin dhe miqësinë shumëvjeçare me Gjergji Lalën duke e cilësuar atë një artist të rrallë dhe një njeri me vlera të mëdha njerëzore.

Ngushëllime shprehu edhe Kryetarja e Bashkisë së Lushnjës Eriselda Sefa e cila vlerësoi figurën e Gjergji Lalës si një nga personalitetet më të dashura të qytetit dhe të kulturës shqiptare.

Aktori dhe regjisori Gjergji Lala u nda nga jeta pas një sëmundjeje të rëndë në moshën 79-vjeçare. Me interpretimet e tij në teatër, film dhe televizion ai la një trashëgimi të çmuar artistike, ndërsa emri i tij do të mbetet përherë pjesë e historisë së artit shqiptar.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds