Kabllot elektrike dhe ato të shërbimeve të internetit që varen si rrjetë merimange në shtyllat elektrike, fasadat e pallateve dhe hyrjet e banesave të qytetit të Lushnjës vijojnë të jenë një shqetësim për qytetarët. Në shumë zona ato ndodhen shumë pranë tokës duke krijuar rrezik për kalimtarët dhe duke dëmtuar pamjen estetike të qytetit.
Banorët shprehen se prej kohësh kanë kërkuar largimin ose sistemimin e tyre, por situata është përkeqësuar, pasi janë shtuar linja të reja pa një organizim të rregullt, ndërkohë kabllot e papërdorura kanë vite që qendrojnë të lidhura në shtylla dhe mure pa kryer asnjë funksion.
Në lidhje me këtë problematikë u ndal edhe Kryeministri Edi Rama gjatë eventit për modernizimin e infrastrukturës nëntokësore në zonat urbane. Ai deklaroi se qeveria do të fokusohet në sistemimin e kabllove ajrore dhe eliminimin e strukturave të improvizuara që sipas tij dëmtojnë pamjen e qyteteve dhe pengojnë zhvillimin urban.
