Shkolla “Nënshkruesi i Pavarësisë Nebi Sefa” hapi dyert për fëmijët që rikthehen në bankat e tyre duke nisur një tjetër vit shkollor. Mes tyre janë edhe vogëlushët e klasës së parë të cilët me lule në duar për mësuesen e tyre hodhën hapat e parë në rrugëtimin arsimor.
Oborri u mbush sërish me zërat e fëmijëve, takimet me shokët dhe emocionet e ditës së parë. Për ta kjo është një ditë e veçantë, ndërsa për prindërit dhe mësuesit nis një tjetër kapitull i përbashkët.
Mesazhe urimi dhe motivimi përcollën edhe vetë nxënësit, të cilët vlerësuan mbështetjen e mësuesve dhe familjeve të tyre në rrugën drejt rezultateve më të mira.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua vogëlushëve që ulen për herë të parë në bankat e shkollës, por edhe maturantëve që përballen me një tjetër etapë të rëndësishme. Në ceremoninë e zhvilluar me rastin e nisjes së mësimit, u theksua se edukimi i brezit të ri është një përgjegjësi që kërkon bashkëpunimin e familjes, mësuesve dhe komunitetit.
Në fokus ishte edhe puna e stafit pedagogjik, përmirësimi i ambienteve dhe programi “After School”, i cili do të vijojë të ofrohet edhe gjatë këtij viti.
Në këtë ditë të parë në shkollën “Nënshkruesi i Pavarësisë Nebi Sefa”, ashtu si në shkollat e tjera të Lushnjës, prania e punonjësve të Policisë së Shtetit garantoi sigurinë dhe mbarëvajtjen e procesit mësimor.
