Një aksident rrugor është regjistruar mesditën e sotme në aksin Lushnjë–Fier, pranë fshatit Pirrë. Dy automjete janë përplasur në rrugë, ndërsa paraprakisht dyshohet se shkak i aksidentit është bërë një manovër parakalimi.
Nga përplasja raportohet vetëm për dëme materiale, ndërsa deri në këto momente nuk bëhet me dije për persona të lënduar. Përplasja ka krijuar vështirësi edhe në lëvizjen e drejtuesve të mjeteve në këtë pjesë të aksit Lushnjë–Fier.
Sipas burimeve në vendngjarje, një prej mjeteve drejtohej nga një i moshuar i cili dyshohet se ka tentuar të parakalojë një automjet që po lëvizte në korsinë e shpejtësisë. Gjatë kryerjes së manovrës, mjeti është përplasur me një tjetër automjet që po qarkullonte në aks.
Pas aksidentit, në vendngjarje ka mbërritur policia e cila ka nisur veprimet për dokumentimin e ngjarjes dhe për përcaktimin e saktë të rrethanave në të cilat ndodhi përplasja.
Dyshohet se manovra e parakalimit ka qenë shkaku i drejtpërdrejtë i përplasjes.
