Mbrëmja e sotme sjell emocionet e gjysmëfinales së dytë të Eurovision 2026, ku 15 shtete do të konkurrojnë për 10 vendet e fundit në finalen e madhe të së shtunës. Shqipëria përfaqësohet nga Alis me këngën “Nan”, ndërsa artisti shqiptar do të ngjitet i 13-ti në skenë.
Në këtë gjysmëfinale favoritë për kualifikim konsiderohen Danimarka dhe Australia ndërsa pritshmëri të larta ka edhe për Rumaninë e Ukrainën. Agjencitë e basteve veçojnë gjithashtu Azerbajxhanin, Luksemburgun, Armeninë dhe Zvicrën si vende me shanse për të siguruar finalen.
Eurovisioni mbetet eventi muzikor televiziv më i ndjekur në botë me mbi 150 milionë shikues çdo vit. Edicioni i këtij viti i zhvilluar në Vjenë shënon jubileun e 70-të të festivalit, ku muzika, spektakli dhe emocionet bashkohen në një nga ngjarjet më të mëdha të industrisë argëtuese.
Ndërkohë 10 vende siguruan tashmë një biletë për finalen pas gjysmëfinales së parë të zhvilluar të martën, mes tyre Finlanda, Greqia, Izraeli, Suedia dhe Moldavia.
Konkursi i këtij viti është shoqëruar edhe me debate politike, pasi pesë vende u tërhoqën nga pjesëmarrja për shkak të pranisë së Izraelit në festival duke shënuar bojkotin më të madh politik në historinë e Eurovisionit që prej nisjes së tij në vitin 1956.
