Shqipëria po shënon përparim historik në rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Europian, me perspektivën e anëtarësimit të plotë brenda kësaj dekade. Gjatë një konference të përbashkët për shtyp në Tiranë, Kryeministri Edi Rama dhe Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, detajuan hapat e radhës dhe arritjet e deritanishme në procesin e reformave.

Shqipëria po shënon përparim historik në rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Europian, me perspektivën e anëtarësimit të plotë brenda kësaj dekade. Gjatë një konference të përbashkët për shtyp në Tiranë, Kryeministri Edi Rama dhe Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, detajuan hapat e radhës dhe arritjet e deritanishme në procesin e reformave.

Komisionerja Kos bëri të ditur se Shqipëria ka zbatuar tashmë 80% të reformave të kërkuara, një performancë që do të përkthehet në një mbështetje financiare prej 185.6 milionë eurosh në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

Sipas saj, nëse ky ritëm vijon dhe shtetet anëtare japin pëlqimin e tyre, Shqipëria pritet të përmbyllë kapitujt e negociatave rreth vitit të ardhshëm. Ky progres mundëson hapjen e grupit të punës për traktatin e anëtarësimit në vitin 2028, duke e bërë vitin 2030 një objektiv real për anëtarësimin e plotë.

Kryeministri Rama theksoi se viti 2027 është përcaktuar si “viti i Shqipërisë” nga Komisioni Europian, por nënvizoi se ky proces mbetet dinamik dhe varet nga dakordësia e 27 vendeve anëtare.

Ai e cilësoi procesin e integrimit si një mjet jetik për modernizimin e shtetit dhe konsolidimin e institucioneve, duke u shprehur se reformat bëhen për të mirën e vendit dhe jo si detyrim ndaj Brukselit.

Një tjetër pikë kyçe e diskutimit ishte integrimi gradual përpara anëtarësimit zyrtar. BE synon të hapë pjesë të tregut të përbashkët për vendet kandidate, duke përfshirë sektorët e energjisë, transportit dhe teknologjisë digjitale.

Ky proces pritet të rrisë sigurinë ekonomike dhe të tërheqë më shumë investitorë të huaj në rajon, duke e vendosur Ballkanin Perëndimor në qendër të rrugëve të reja tregtare drejt Azisë Qendrore.

Pavarësisht pritjes së gjatë prej tre dekadash, si Rama ashtu edhe Kos u shprehën optimistë për faktin se Shqipëria ka thyer rekorde në shpejtësinë e hapjes së kapitujve, duke lënë pas vende të tjera kandidate që e kanë nisur procesin shumë më herët.

Mesazhi përfundimtar ishte i qartë: Shqipëria është më afër se kurrë familjes europiane, por puna për plotësimin e standardeve duhet të vijojë me intensitet maksimal.

PJESË NGA KONFERENCA E PËRBASHKËT RAMA – KOS

Edi Rama: Duhet të shkojë dhe përtej zbatimit të planit të rritjes, në funksion të një modeli të integrimit ekonomik më të thellë në tregun europian, por duke mos harruar asnjëherë se sa më shumë ta integrojmë vetë Ballkanin Perëndimor, aq më shumë do të ndihmojmë ekonomitë tona, sepse siç e nënvizoi Komisionerja, deficitet e integrimit rajonal janë ende të mëdha dhe rëndojnë në kapacitetin e tregut rajonal për të dhënë më të mirën në aspektin ekonomik. Dhe solli si shembull turizmin, ku ende ka vështirësi për lëvizjen e lirë të grupeve të turistëve që duan të vizitojnë në të njëjtën kohë më shumë sesa një vend të rajonit dhe e fillojnë historinë me ndalesa, me kërkesa, me viza e me ku di unë se çfarë. Si përfundim, ne kemi një qartësi të plotë mbi 2027-ën. Komisionerja thotë që e dëgjuat edhe dje, 2027-a do të jetë viti i Shqipërisë për Komisionin. Për ne po ashtu, ne jemi Shqipëria kështu që nuk diskutohet që s’ka si të jetë viti i dikujt tjetër. Por, pak po e sigurt është që ne nuk do të lëmë asgjë mangët nga ana jonë duke i plotësuar pikë për pikë detyrat që kemi, jo sepse na i kërkon zonja që kam në krah, por sepse i kërkon e nesërmja e fëmijëve tanë. E nesërmja e fëmijëve tanë, e nesërmja e vendit tonë na imponon që t’i bëjmë pikë për pikë këto detyra, sepse çdo detyrë e kryer në funksion të anëtarësisë në Bashkimin Europian është një detyrë e kryer në funksion të modernizimit të Shqipërisë, është një detyrë e kryer në funksion të përmbushjes së shtetbërjes europiane të Shqipërisë, është një detyrë e kryer në funksion të konsolidimit të institucioneve në Shqipëri, se mund të flasim sa të duam për ky, ai, ajo e ata dhe ato, por në fund diferencën e bëjnë institucionet. Dhe mangësitë e institucioneve janë ato që na dallojnë akoma nga vendet të cilave duam t’u ngjajmë sa më shumë dhe sa më mirë. Kështu që ne nuk kërkojmë absolutisht asnjë dhuratë, nuk kërkojmë asnjë bypass, nuk kërkojmë asnjë mbyllje të syve, ne kërkojmë vetëm të marrim maksimumin e detyrave dhe t’i plotësojmë ato në maksimum. E dashur Marta, edhe njëherë, duke qenë se është vizita jote e fundit për këtë vit dhe duke qenë se së shpejti nis një vit i ri, unë të falënderoj për gjithçka që ke bërë për ne, për Shqipërinë, për rajonin gjatë këtij viti së bashku me ekipin tënd fantastik dhe uroj shumë që viti i ri të jetë më i miri i të gjitha viteve për ty, sepse sa më i mirë të jetë viti i ri për ty, aq më i mirë është edhe për ne në funksion të objektivit më të rëndësishëm, më madhor, më historik të Shqipërisë dhe shqiptarëve që është anëtarësimi në Bashkimin Europian.

Marta Kos: Faleminderit shumë, i dashur Kryeministër, i dashur Edi. Faleminderit edhe njëherë që na pritët sërish për planin e rritjes, pra për samitin këtu në Tiranë. Dhe është gjë e mirë që ne të bëjmë një bilanc të zbatimit të këtij plani për Ballkanin Perëndimor, një rajon i cili është i rëndësishëm për Bashkimin Europian dhe është në interesin tonë që ta integrojmë këtë rajon në Bashkimin Europian. Pra, ne bëmë një bilanc të zbatimit të planit të rritjes për Ballkanin Perëndimor. Dhe ajo që shohim është që zgjerimi është në lëvizje, por gjithashtu shohim që bashkë me të në lëvizje është edhe Ballkani Perëndimor. Ajo që ne shohim është se ideja e një rajoni të përbashkët të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në procesin e integrimit po zbehet disa në një mënyrë të natyrshme. Mali i Zi, dhe kjo do të ndryshojë edhe dinamikat në Ballkanin Perëndimor, pra Mali i Zi është pranë përfundimit të negociatave sivjet shpresojmë. Shqipëria mund të arrijë të njëjtën gjë vitin tjetër. Dhe ajo që shohim është që vendet që i përmbushin angazhimet për reforma ecin përpara, ndërsa ata që nuk e bëjnë këtë gjë nuk mund të ecin përpara. Dhe e shikojmë të njëjtën gjë edhe me zbatimin e planit të rritjes. Komisioni Europian po përfundon vlerësimin e vet. Mali i Zi ka zbatuar 94% të reformave dhe së shpejti do të përfitojë 81 milionë euro në kuadër të këstit të ardhshëm të pagesave. Shqipëria ka zbatuar 80% të reformave dhe do të përfitojë 185.6 milionë euro. Maqedonia e Veriut ka zbatuar 56% dhe do të përfitojë 70.9 milionë euro. Pra, siç e thatë edhe ju zoti Kryeministër, ne do të rrisim financimin në kuadër të planit të rritjes për këto tre vende që kanë ofruar më shumë rezultate. Mali i Zi dhe Shqipëria atëherë do të përfitojnë 15% më shumë, ndërsa Maqedonia e Veriut 10% më shumë. Do të fillojmë procedurat së shpejti dhe këto janë pagesat e tjerat pra shtesë që ju do të merrni vitin që vjen. Nuk duhet të harrojmë që plani i rritjes u hartua që në fillim për të shpërblyer rezultate konkrete. Pra vendet që përmbushin angazhimet e tyre për reforma përfitojnë financim. Udhëheqësit europianë po diskutojnë në Bruksel të ardhmen e buxhetit të Bashkimit Europian dhe shuma e financimit që do të vihet në dispozicion të vendeve kandidate për anëtarësim në BE është pjesë e këtyre diskutimeve. Por pavarësisht nga rezultati, një parim do të mbetet i pandryshuar: financimi i BE-së do të kushtëzohet nga rezultatet në zbatimin e reformave. Dhe kjo në fakt pasqyron një zhvillim më të gjerë në marrëdhëniet tona me rajonin, sepse ne jemi të vendosur të shtypim pedalen e gazit, por performanca individuale do të jetë gjithnjë e më shumë parimi udhëheqës. Logjika rajonale siç e thashë po zbehet, më shumë se kurrë zgjedhjet politike të secilit vend do të përcaktojnë ritmin me të cilin ai vend do të ecë drejt BE-së. Dhe ka një mbështetje të fortë nga shtetet anëtare për këtë qasje të cilën ne e quajmë të bazuar tek merita. Kjo vlen si për negociatat e anëtarësimit, ashtu edhe për qasjen apo aksesin në financimin e BE-së dhe integrimin gradual në Bashkimin Europian. Pra, unë këtu shoh një mundësi jo vetëm për ato të treja vende që i përmenda, por edhe për shtetet e tjera. Në Serbi ne shohim tashmë një fillim të ri, pra në Kosovë kemi stabilitet politik, dhe ka gjithashtu edhe një mundësi për Maqedoninë e Veriut dhe Bosnjë-Hercegovinën, në vendin e fundit pra Bosnjë-Hercegovinën pas zgjedhjeve. Këtë e diskutuam sot në takimin tonë dhe unë në fakt fola edhe për qasjen e re të Komisionit Europian për ta zgjeruar integrimin gradual që mund ta ofrojë çdo vend kandidat drejt BE-së edhe përpara vetë anëtarësimit, por që nuk është zëvendësim i anëtarësimit. Ne duam të hapim më shumë pjesë të tregut të përbashkët të Bashkimit Europian, përfshirë edhe sektorët e energjisë, të transportit, si dhe të zgjerojmë bashkëpunimin në fushën e teknologjive digjitale. Dëshirojmë gjithashtu që të hapim edhe institucionet tona për vendet tuaja që janë më të shpejtat. Do të shqyrtojmë me secilin vend kandidat në mënyrë individuale se ku mundësohet integrimi i mëtejshëm. Pra do të diskutojmë edhe ide të tjera me vendet kandidate, por edhe idetë që vijnë nga Bashkimi Europian për mënyrën se si ky integrim i zgjeruar ose më i mëtejshëm integrim gradual mund të sjellë edhe më shumë siguri, jo vetëm për sigurinë në vetvete, por edhe sigurinë ekonomike. Dhe ky do të jetë me pak fjalë i njëjti parim, pra përparim konkret në negociatat e anëtarësimit është bileta, është kushti i domosdoshëm për të përfituar nga këto mundësi. Ne diskutuam gjithashtu edhe mundësitë ekonomike që krijohen nga lidhjet e reja të transportit që po ndërtojmë në të gjithë kontinentin tonë dhe fola më herët për rëndësinë e Ballkanit Perëndimor në atë kuptim më të gjerë të ndërlidhjes, pra në lidhjeve të transportit që lidhin Bashkimin Europian me Azinë Qendrore. Ballkani Perëndimor ndodhet në kryqëzimin e këtyre rrugëve të reja tregtare që lidhin Bashkimin Europian me Turqinë e më tej në lindje me Azinë Qendrore. Në kushte kur shumë prej rrugëve tregtare globale po përballen me presion, ajo që ne presim është që vëllimi i tregtisë në këto rrugë alternative të rritet, dhe kjo mund ta bëjë Ballkanin Perëndimor gjithnjë e më të tërheqës për investitorët e huaj. Për ta mbyllur, ne na duhet bashkëpunimi i mëtejshëm i tregut të përbashkët rajonal të Ballkanit Perëndimor, pra jo vetëm për këtë treg prej miliona banorësh, por edhe që ky të tërheqë sa më shumë investitorë dhe shpresoj që ndryshimet në Serbi apo disa nga ato çështje të cilat janë të hapura dhe me zgjedhjet në Bosnjë-Hercegovinë, ne do të kemi mundësinë që të kalojmë pastaj për të siguruar lëvizjen e lirë të qytetarëve, por edhe lidhje më të mira që i përmendëm, për shembull ju përmendët turizmin, pra në shumë fusha ku vendet e Ballkanit Perëndimor mund të bashkëpunojnë akoma edhe më shumë për të mirën e rajonit, por edhe për të mirën e të gjithë Bashkimit Europian. Në mbyllje, pra ne e shohim sot rajonin në një udhëkryq dhe koncepti i faktit që bëjmë bashkë Ballkanin Perëndimor si një grup prej gjashtë vendesh po i vjen fundit të vet të natyrshëm. Dhe zgjedhjet politike që do të bëjë secili vend dhe udhëheqësit e tyre do të përcaktojnë se çfarë do të ndodhë më tej. Dhe buxheti ynë 2028-2034 për të cilin po diskutojmë pra siç e thashë do të ketë instrumente të unifikuara, nuk do të ketë IPA, nuk do të ketë plan rritjeje, do të ketë instrumente financiare të cilat ne do t’i përdorim për secilin prej vendeve tuaja. Pra ne do të flasim më shumë për gjëra që mund të bëjmë me secilin prej vendeve tuaja. Sigurisht që ndërlidhja në rajon dhe integrimi rajonal është i rëndësishëm, por është e rëndësishme pra që të flasim me secilin nga vendet tuaja sipas mekanizmave të ecurisë suaj. Ne do të kemi edhe kushte të caktuara ose aparate që do të marrin vendet tuaja nga Bashkimi Europian. Dhe thirrja ime për ju sot është, le ta shfrytëzojmë këtë moment, ta përfundojmë këtë proces dhe t’ju sjellim të gjithëve në Bashkimin Europian tani. Faleminderit.

Ardit Hoxha nga EuroNews Albania: Kam dy pyetje, një për zonjën Kos dhe një për zotin Rama. Zonja Kos, gjeografikisht jemi në zemër të Europës dhe prej më shumë se tre dekadash shqiptarët e presin ditën kur Shqipëria do të bëhet anëtare zyrtare e Bashkimit Europian. Shumë prej atyre që ëndërruan këtë ditë në vitet ’90 tashmë kanë fëmijët e tyre që kanë të njëjtën pyetje: Edhe sa do të duhet të presin? Sot, a ka një datë, 2028, 2029 apo 2030, viti kur mund të realizohet kjo ëndërr për shqiptarët? Dhe pyetja për Kryeministrin Rama: Zoti Rama, shqiptarët kanë pritur mbi 30 vjet për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian, nga të cilat nga këto 30 vjet 13 vjet e keni drejtuar ju qeverinë shqiptare. Pse është zgjatur kaq shumë dhe pse nuk jemi anëtarësuar ende?

Marta Kos: Siç mund ta vini re, zgjerimi po ndodh vërtet. Këtë vit, nëse i llogarisim të gjitha së bashku, do të jetë viti më i suksesshëm në zgjerim në 25 vitet e fundit. Zgjerimi i fundit që kemi pasur ishte në vitin 2013 me Kroacinë dhe tani po përfundojmë, shpresojmë, negociatat me Malin e Zi dhe një nga vendet që ka kontribuar në këtë sukses është edhe Shqipëria. Pra për sa i përket udhërrëfyesit që ne kemi ofruar dhe në raportin e sivjetshëm, ne kemi thënë, jemi shprehur pra që Shqipëria mund t’i përmbyllë të gjithë kapitujt e negociatave në qoftë se do të ketë rezultate të reformave dhe sigurisht në rast se shtetet anëtare do t’i japin dritën e gjelbër për Shqipërinë. Dhe në qoftë se ndodhin këto gjëra, pra vitin e ardhshëm rreth kësaj kohe ne mund të jemi shumë pranë fundit të negociatave. Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë që hapi i mëtejshëm do të jetë që rreth gjysmës së kapitujve të mbyllur do të thotë që shtetet anëtare do të krijojnë grupin e punës për traktatin e anëtarësimit, i cili pra po flas që në qoftë se gjithçka ecën siç duhet, mund të nënshkruhet në 2028-ën, që do të thotë varet nga procesi i ratifikimit, vizioni i qeverisë suaj edhe i qytetarëve, në rast se e kam kuptuar siç duhet, pra Shqipëria mund të bëhet shtet anëtar në Bashkimin Europian deri në vitin 2030.

Edi Rama: Faleminderit për pyetjen. Anëtarësimi në Bashkimin Europian nuk është si një arsimim me një datë të përcaktuar ku ti shkon në shkollë, mbaron gjimnazin, pastaj hyn në universitet, mbaron universitetin dhe merr diplomën, gjithmonë në rast se i bën si duhet detyrat. Anëtarësimi në Bashkimin Europian nuk ka një datë asnjëherë dhe s’ka pasur ndonjëherë për askënd. Sepse nga një anë jeti, nga ana tjetër janë 27 të tjerë, të cilët duhet të biejnë të gjithë dakord në çdo fazë të procesit, pavarësisht se ti i ke bërë apo nuk i ke bërë detyrat. Për shembull, në këto vite të drejtimit tim ka pasur një Komision Europian, i cili e ka nisur jetën e vet me deklaratën: Këto pesë vite ne nuk do të marrim asnjë në konsideratë për të zgjeruar Bashkimin Europian. Ose Shqipëria ka pasur ato që unë i quaj tre vitet e poshtërimit, kur Komisioni Europian çertifikonte detyrat tona të bëra dhe njëshët thoshte jo. Kështu që ky është një proces i cili për sa na takon duhet të shihet si një mundësi unikale e artë, bekim për ne dhe për çdo vend që ka perspektivën europiane për të nxjerrë më të mirën e vetes dhe për të ndërtuar shtetin që kanë nevojë qytetarët dhe që ne nuk e ndërtuam dot për 500 vjet. Sot po e bëjmë. Po e bëjmë falë këtij procesi. Natyrisht që anëtarësimi vjen me shumë të mira të tjera dhe prandaj ne duam të anëtarësohemi, por nëndërkohë ne nuk kemi asnjë alternativë tjetër përveçse të vazhdojmë të punojmë që të përmirësojmë falë kryerjes së detyrave gjithçka që lidhet me shtetin në këtë vend. Mos harroni që një nga fqinjët tanë, Maqedonia e Veriut, ka 20 vjet që është kandidat, shumë vite përpara nesh, dhe ja ku është mbrapa nesh sot. Mos harroni që kur ne e nisëm këtë rrugë me qeverinë tonë të parë ishim të fundit dhe na thuhej që në pararojë janë Serbia dhe Mali i Zi. Sot Mali i Zi është shumë afër, Serbia është shumë mbrapa nesh. Pra ky është një proces dinamik dhe të kërkosh një datë do të thotë mos kuptosh se si funksionon procesi. Datat mund të vendosen si objektiva, por janë ‘moving targets’, mund të lëvizin sepse e përsëris janë 27 që duhet të biejnë dakord në çdo hap, në çdo hap, në çdo hap. Kështu që nëse ne kemi bërë diçka unikale që s’e ka bërë askush më parë, që të hapim të gjithë kapitujt në një kohë që është rekord në historinë e integrimeve të Bashkimit Europian, kjo ka ardhur si rezultat që ne kemi bërë detyrën, por edhe të 27-të kanë qenë gati që të thonë po, detyra është bërë. Kështu që ne jemi krah për krah me Komisionin, ne Komisionin kemi për të kuptuar ku jemi mirë, ku jemi më pak mirë, ku kemi bërë më shumë progres, ku kemi bërë më pak progres dhe Komisionin kemi për të bindur dhe pastaj vjen faza tjetër. Por për herë të parë në historinë e këtyre viteve ka një tokgfjalësh që u shfaq në raportin e progresit të këtij viti: fillimi i përgatitjes së traktatit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian vitin e ardhshëm. Kështu që jemi më afër se asnjëherë, por çdo ditë ne duhet të punojmë sikur jemi më larg se asnjëherë. Faleminderit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds