Një shtetas shqiptar, i identifikuar si Elvis Mula, është dënuar me 14 vite e 3 muaj burg në Britaninë e Madhe, pasi drejtonte një grup kriminal që tentoi të trafikonte 374 kilogramë kokainë, me vlerë rreth 29.9 milionë paund në tregun e zi. Mediat britanike kanë publikuar pamjet e grupit përpara operacionit për marrjen e drogës, ku Mula dhe bashkëpunëtorët e tij shfaqen duke qeshur dhe përqafuar pranë një automjeti luksoz tip Bentley, me të cilin lëvizte shqiptari.
Droga ishte hedhur në ujërat e ngushticës së Doverit nga një anije transporti, e paketuar në mbështjellës të papërshkueshëm nga uji dhe e pajisur me gjurmues për të lehtësuar gjetjen e saj. Për ta marrë atë, grupi kishte organizuar një operacion me një varkë të vogël peshkimi, duke u nisur nga porti Queenborough në ishullin Sheppey, në Kent.
Në këtë aktivitet kriminal ishin përfshirë edhe Leonard Steadman, 66 vjeç, Wayne Bath, 47 vjeç dhe Cameron Weedon, 27 vjeç. Dy prej tyre, Steadman dhe Bath, kishin kryer më parë prova në det, duke kaluar deri në 13 orë në ditë me varkën e peshkimit për t’u përgatitur për marrjen e ngarkesës. Megjithatë, operacioni dështoi pasi oficerët e Agjencisë Kombëtare të Krimit (NCA) i prisnin në bregdetin e Kentit. Të katër personat u arrestuan në nëntor të vitit 2024, ndërsa këtë të premte u dënuan nga Gjykata e Maidstone.
Sipas hetimeve të NCA-së, Elvis Mula kishte ndjekur ndërkombëtarisht lëvizjet e ngarkesës së kokainës përpara se ajo të hidhej në det. Ai dhe dy bashkëpunëtorët, Leonard Steadman dhe Wayne Bath, pranuan akuzën për komplot për importimin e kokainës. Mula dhe Bath u dënuan me nga 14 vite e 3 muaj burg, ndërsa Steadman me 13 vite e 7 muaj. Ndërkohë, Cameron Weedon, i cili pranoi akuzën për nxitje ose ndihmë në kryerjen e veprave penale, u dënua me 4 vite burg.
Oficerja e lartë hetimore e NCA-së, Jules Harriman, deklaroi se sekuestrimi i kësaj sasie të madhe kokaine përbën një humbje të konsiderueshme për grupin kriminal, pasi fitimet e pritshme nuk do të mund të përdoreshin për financimin e aktiviteteve të tjera kriminale.



