Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka uruar shqiptarët për 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit dhe 114-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, duke e cilësuar këtë datë si festën e të gjitha festave.
Në mesazhin e tij, Berisha ka kujtuar shpalljen e Pavarësisë në Vlorë më 28 Nëntor 1912 nga Ismail Qemali, ndërsa ka nderuar figurat historike që kontribuuan në lirinë dhe pavarësinë e vendit. Ai ka përmendur Ismail Qemalin, Isa Boletinin dhe etërit e tjerë të Pavarësisë, si dhe qindra mijëra shqiptarët që, sipas tij, sakrifikuan jetën në kohë të ndryshme për lirinë dhe dinjitetin kombëtar.
Krahas urimit për festën kombëtare, kreu i PD-së u ka bërë thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në protestën kombëtare të 28 Nëntorit, e cila po zhvillohet në Tiranë.
“Sot protestë kombëtare! Të gjithë në shesh!”, është thirrja e Berishës.
Në vijim të mesazhit, ai ka rikujtuar edhe datën 28 Nëntor 1443, kur Gjergj Kastrioti Skënderbeu ngriti flamurin në Krujë, duke vlerësuar qëndresën dhe luftërat e tij për liri.
“Sot, në ditëlindjen e re të kombit tonë të lashtë, ne nderojmë prijësin tonë të përjetshëm, Skënderbeun, dhe luftërat e tij legjendare që i dhanë kombit shqiptar pavdekësi”, shkruan Berisha.
Në përfundim, kreu i opozitës u ka përcjellë shqiptarëve urimet për 28 Nëntorin, duke shprehur dëshirën për përjetësi, zhvillim dhe begati për Shqipërinë dhe mbarë kombin shqiptar.
Postimi i plotë:
Gëzuar 28 Nëntorin,
DITËLINDJEN E SHQIPËRISË SË PAVARUR.
Sot protestë kombëtare! Të gjithë në shesh!
Miq, sot mbarë kombi, në Shqipëri dhe kudo ku jetojnë shqiptarët, feston 28 Nëntorin si festën e të gjitha festave, Ditën e Flamurit tonë Kombëtar, ditën e shpalljes, më 28 Nëntor të vitit 1912, nga Ismail Bej Vlora, të Pavarësisë së Shqipërisë në qytetin e Vlorës.
Ndaj sot, në ditëlindjen e re të kombit tonë të lashtë, 114-vjetorin e saj, ne nderojmë dhe përulemi me mirënjohjen më të thellë për Flamurin tonë Kombëtar, babanë e Pavarësisë së Shqipërisë, Ismail Bej Vlorën, dhe Isa Boletinin e etërit e tjerë të saj. Nderojmë qindra mijëra shqiptarë që sakrifikuan jetën e tyre në të gjitha kohërat për liri dhe dinjitet kombëtar e njerëzor, për Shqipërinë e lirë dhe të pavarur.
Prandaj, të dashur miq, ju ftoj t’i urojmë së bashku Shqipërisë dhe mbarë kombit tonë: Gëzuar këtë ditë! Përjetësi, zhvillim dhe begati!
Më 28 Nëntor të vitit 1443, prijësi i përjetshëm i kombit shqiptar ngriti Flamurin e Lirisë në Krujë dhe për më shumë se gjysmë shekulli e shndërroi Krujën dhe Arbërinë në kështjellën e pamposhtur të lirisë. Sot, në ditëlindjen e re të kombit tonë të lashtë, ne nderojmë prijësin tonë të përjetshëm, Skënderbeun, dhe luftërat e tij legjendare që i dhanë kombit shqiptar pavdekësi.



