Një situatë pengmarrjeje në një supermarket në Berlin ka përfunduar paqësisht pas më shumë se 11 orësh, falë ndërhyrjes së forcave speciale të policisë. Një person i armatosur mbajti peng një arkëtare brenda dyqanit, ndërsa operacioni për neutralizimin e tij u mbyll pa viktima.
Mediat e huaja bëjnë me dije se, mgjarja ndodhi mbrëmjen e së premtes në lagjen Marienfelde, në jug të kryeqytetit gjerman, ku autori dyshohet se e kërcënoi gruan pasi e mbajti të bllokuar brenda supermarketit.
Mësohet se, një forcë e madhe policore, përfshirë Njësinë e Operacioneve Speciale (SEK), është vendosur në vendngjarje. Zona përreth supermarketit është rrethuar, dhe ambulancat dhe zjarrfikësit janë gjithashtu në vendngjarje. Në agim, oficerët e policisë përdorën një shkallë për të parë më mirë brendësinë e ndërtesës, ndërsa negociatorët e trajnuar posaçërisht vazhduan bisedimet me autorin e krimit.
Në kohën e incidentit, brenda dyqanit ndodheshin punonjës, të cilët u evakuuan dhe mbeten pranë vendit të ngjarjes nën mbrojtjen e autoriteteve. Sipas mediave të huaja, ata do të japin deklarata në polici për atë që panë gjatë pengmarrjes. Supermarketi ndodhet në një zonë të qetë banimi të Marienfelde, ku ka shkolla dhe kopshte. Deri më tani, nuk janë publikuar informacione të mëtejshme në lidhje me identitetin e autorit të krimit apo arsyet e pengmarrjes.
