Prej disa ditësh kultivuesit e shalqirit në Divjakë kanë filluar të vjelin prodhimin. Mbi 450 hektarë janë të kultivuara këtë vit në këtë zonë, çka do të thotë 20% më shumë se sezoni i kaluar bujqësor.
Aktualisht çmimi i shalqirit është sipas cilësisë dhe varieteteve dhe varion nga 45 lekë për tregun e brendshëm dhe 80 deri në 100 lekë për tregun e jashtëm.
Fermerët e Divjakës sipërfaqet e mbjella i kanë kryesisht të destinuara për tregun e jashtëm, vendet e rajonit por edhe në Evropë për shkak të cilësisë së lartë dhe hershmërisë.
Me çmimet aktuale, fermerët janë të kënaqur. Temperaturat e larta të këtyre ditëve do të sjellin pjekjen e menjëhershme të kulturës së shalqirit dhe mos futja me kapacitete të plota të eksportit do të çojë në fenomenin e përsëritur vit pas viti të rënies së menjëhershëm të çmimit. Kjo pasi tregu i brendshëm merr vetëm 20% të prodhimit të brendshëm, pasi pjesa tjetër është për eksport.