Në investimin e Bashkisë Lushnjë për rehabilitimin e rrugës që lidh Golemin e Madh me Golemin e Vogël kanë përfunduar rreth 60% e punimeve.
Kryetarja e Bashkisë Lushnjë Eriselda Sefa së bashku me Drejtoreshën e Urbanistikës Arjola Dylia dhe përfaqësues të firmës zbatuese inspektuan nga afër ecurinë e punimeve.
Projekti përfshin rehabilitimin e një segmenti rrugor me gjatësi 2.6 kilometra, nga i cili përfitojnë banorët e Golemit të Madh dhe Golemit të Vogël.
Aktualisht po përfundojnë punimet për frezimin dhe mbushjen e shtresave të rrugës, ndërsa po bëhen përgatitjet për shtrimin e asfaltit.
Rruga është zgjeruar nga 4 metra në 5.5 metra duke krijuar një hapësirë më të madhe për qarkullimin e automjeteve dhe për infrastrukturën shoqëruese.
Gjatë inspektimit u evidentuan edhe disa çështje që kërkojnë ndërhyrje në vijim të punimeve. Një prej tyre lidhet me shtyllat elektrike të cilat sipas Kryetares duhet të zhvendosen pasi nuk mund të qëndrojnë në mes të trotuarit.
Në kuadër të këtij investimi është parashikuar edhe sistemimi i rrjeteve të internetit dhe energjisë elektrike. Linjat e reja do të shtrihen nëntokë dhe do të sistemohen përgjatë trotuarit duke synuar shmangien e kabllove ajrore dhe përmirësimin e infrastrukturës në zonë.
