Ndërmarrja e punëve publike të bashkisë ka nisur sistemimin dhe përmirësimin e ambienteve të jashtme të Spitalit “Ihsan Çabej” në Lushnjë. Nën kujdesin e deputetit Elton Korreshi dhe Drejtorit të ri të spitalit po punohet që për një pamje më të pastër, më funksionale dhe më dinjitoze të hapësirave që frekuentohen çdo ditë nga pacientët, familjarët e tyre dhe stafi mjekësor.
Puna ka nisur me pastrimin e plotë të ambienteve të jashtme dhe largimin e mbeturinave të grumbulluara. Njëkohësisht po kryhet prerja e barishteve dhe pastrimi i zonave të gjelbëruara, ndërsa po punohet edhe për frezimin e tokës në lulishte, me synimin e krijimit të një mjedisi më të mirëmbajtur.
Një tjetër pjesë e ndërhyrjes është restaurimi i stolave të cilët po riparohen dhe po lyhen duke u kthyer në një ambient më të përshtatshëm për qytetarët që presin pranë spitalit.
Sipas drejtuesve këto punime janë vetëm hapi i parë i një angazhimi për përmirësimin gradual të kushteve në Spitalin “Ihsan Çabej”, me synimin që jo vetëm shërbimi shëndetësor, por edhe mjedisi ku ai ofrohet të jetë sa më i pastër, i rregullt dhe mikpritës për të gjithë.
