Këshilli i Ministrave miratoi sot ndryshime në vendimin për përcaktimin e kriterit të notës mesatare për pranimin e kandidatëve në programet e studimeve të ciklit të parë dhe programet e integruara të ciklit të dytë në institucionet e arsimit të lartë.
Sipas vendimit, kandidatët që aplikojnë në programet e studimit të ciklit të parë dhe programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë duhet të kenë përfunduar arsimin e mesëm të lartë me notë mesatare minimale 6.5.
Për programet e studimit në fushën e mësuesisë vendosen kritere më të larta pranimi. Konkretisht, kërkohet notë mesatare minimale 7.0 për programet e ciklit të parë në fushën e mësuesisë për gjuhët e huaja.
Ndërkohë, nota mesatare minimale 7.5 do të jetë kriter për pranimin në programet e ciklit të parë që japin akses në programet master në fushën e mësuesisë, si edhe për programin e studimit që përgatit mësues për arsimin parashkollor, i cili nuk jep akses në programet master për arsimin fillor, të mesëm të ulët dhe të mesëm të lartë.
Vendimi sjell gjithashtu ndryshime teknike në dispozitat ekzistuese dhe zëvendëson shtojcat përkatëse me një shtojcë të re, që përcakton programet e studimit për të cilat zbatohen kriteret e veçanta të notës mesatare.
Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohen Ministria e Arsimit, institucioni përgjegjës për ofrimin e shërbimeve arsimore, institucionet e arsimit të mesëm të lartë, institucionet arsimore vendore përgjegjëse për arsimin parauniversitar, si dhe institucionet e arsimit të lartë.
