Arsimi profesional ka një peshë shumë të ndryshme në sistemet arsimore të Ballkanit Perëndimor. Në disa vende, më shumë se gjysma e nxënësve të arsimit të mesëm të lartë zgjedhin një program profesional, ndërsa në Shqipëri kjo alternativë vazhdon të tërheqë më pak se një në pesë nxënës.

Një raport i ri i European Training Foundation (ETF), që analizon arsimin dhe formimin profesional dhe të nxënit në vendin e punës në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi dhe Serbi, evidenton diferenca të forta në përmasat e arsimit profesional në rajon.

Sipas të dhënave më të fundit të disponueshme për secilin vend, Serbia ka peshën më të lartë të nxënësve në arsimin profesional, me 72.7%, e ndjekur nga Mali i Zi me 68.9% dhe Maqedonia e Veriut me 62.9%. Në Shqipëri, përkundrazi, pesha ishte vetëm 17.5%. Për Kosovën raporti nuk disponon të dhëna të fundit të krahasueshme për këtë tregues.

Serbia, 72.7% e nxënësve ndjekin arsimin profesional

Serbia ka peshën më të lartë të arsimit profesional ndër vendet e analizuara. Në vitin 2022, 72.7% e nxënësve të arsimit të mesëm të lartë ishin të regjistruar në programe të arsimit dhe formimit profesional.

ETF vëren se, megjithëse kjo përqindje ka ardhur në rënie, arsimi profesional vazhdon të zërë pjesën dominuese të arsimit të mesëm të lartë në vend.

Sistemi serb ofron programe profesionale tre dhe katërvjeçare në më shumë se 300 shkolla profesionale. Programet mund të zhvillohen në formën tradicionale me bazë shkollën ose sipas modelit dual dhe të dyja rrugët çojnë në të njëjtat kualifikime. Në modelin dual, praktika pranë një ose më shumë punëdhënësve është pjesë e detyrueshme e programit.

Kjo strukturë relativisht e gjerë institucionale e bën arsimin profesional një pjesë qendrore të sistemit të arsimit të mesëm në Serbi.

Mali i Zi, pesha e arsimit profesional mbetet pranë 70%

Në Malin e Zi, arsimi profesional gjithashtu përfshin shumicën e nxënësve të arsimit të mesëm të lartë. Pesha e tyre arriti në 68.9% në vitin 2023, nga 67.1% në vitin 2017.

Ndryshe nga luhatjet që mund të vërehen në vende të tjera, të dhënat tregojnë një pjesëmarrje relativisht të qëndrueshme dhe të lartë në arsimin profesional gjatë kësaj periudhe. Sistemi në Mal të Zi përfshin programe profesionale dyvjeçare në nivelin e mesëm të ulët, programe tre- ose katërvjeçare në arsimin e mesëm të lartë dhe programe dyvjeçare pas arsimit të mesëm.

Ligji lejon gjithashtu arsimin dual, veçanërisht në programet trevjeçare, megjithëse ETF vëren se programet vazhdojnë të jenë kryesisht të orientuara nga shkolla dhe përfshirja e të nxënit në kompani ndryshon sipas kapaciteteve të punëdhënësve.

Raporti thekson gjithashtu se pjesëmarrja e lartë në arsimin profesional nuk garanton automatikisht kalimin e suksesshëm në tregun e punës, pasi vendi vijon të përballet me një pjesë të konsiderueshme të të rinjve jashtë tregut të punës, arsimit ose trajnimit.

Maqedonia e Veriut, pjesëmarrja në arsimin profesional po rritet

Në Maqedoninë e Veriut, arsimi profesional ka fituar më shumë peshë vitet e fundit. Në vitin 2022, 62.9% e nxënësve të arsimit të mesëm të lartë ishin të regjistruar në programe profesionale, nga 60.2% në vitin 2019.

Raporti vëren, megjithatë, se rritja nuk lidhet vetëm me interesin për arsimin profesional. Një pjesë e saj shpjegohet edhe me kufizimet në aksesin në shkollat e mesme të përgjithshme. Në të njëjtën kohë, arsimi profesional në Maqedoninë e Veriut nuk shërben vetëm si rrugë e drejtpërdrejtë drejt punësimit, por përdoret shpesh edhe për të vazhduar më tej në arsimin e lartë.

Programet profesionale në arsimin e mesëm janë kryesisht tre- dhe katërvjeçare. Të gjitha përmbajnë forma të praktikës në vendin e punës dhe praktikë të detyrueshme pas përfundimit të vitit shkollor. Në vitin 2021 u prezantua edhe programi dual katërvjeçar, në të cilin koha e kaluar pranë punëdhënësit rritet gradualisht gjatë viteve të shkollimit.

Shqipëria më dobët në Rajon, 17.5% e nxënësve zgjedhin arsimin profesional

Shqipëria paraqet një situatë dukshëm të ndryshme nga tre vendet e mësipërme. Në vitin 2023, vetëm 17.5% e nxënësve të arsimit të mesëm të lartë ndiqnin arsimin profesional.

Pesha jo vetëm që mbetet shumë më e ulët se në Serbi, Mal të Zi dhe Maqedoni të Veriut, por nuk ka shënuar as rritje në vitet e fundit. Në vitin 2019, treguesi ishte 18.2%, çka do të thotë se deri në vitin 2023 pjesëmarrja kishte zbritur lehtë.

Sipas ETF, arsimi profesional fillestar në Shqipëri ofrohet përmes një rrjeti prej 34 shkollash publike dhe 12 shkollash private profesionale, si dhe tre ofruesve pas arsimit të mesëm që japin kualifikime të nivelit 5 të Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve. Programet përfshijnë modele dyvjeçare, 2+1+1, 2+2 dhe programe katërvjeçare.

Të gjitha kurrikulat përmbajnë një komponent të praktikës profesionale. Shqipëria ka nisur gjithashtu pilotimin e modelit dual që nga viti shkollor 2024-2025, në bashkëpunim me kompani dhe mentorë të trajnuar në vendin e punës. Zbatimi i programeve të para trevjeçare duale nisi në sektorë si hoteleria, turizmi dhe shërbimet e ushqimit dhe pijeve, ku praktika e detyrueshme përbën rreth 37% të kohës së përgjithshme të kurrikulës./Monitor

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds