Dita e shtunë ka nisur me një aksident në rrugët e Lushnjës. Fatmirësisht përplasja e dy mjeteve në autostradën Lushnjë – Fier ka përfunduar vetëm me dëme materiale. Mjeti tip Ford që kalonte nga një krah në krahun tjetër të autostradës, nga Krutja drejt Këmishtajt është përplasur nga mjeti tip Benz që përshkonte autostradën në drejtimin Lushnjë – Fier.
Drejtuesit e mjeteve dhe bashkudhëtarët e tyre nuk kanë pësuar dëmtime serioze në këtë pikë e cila konsiderohet gangrenë për aksidentet e ndodhura shpesh herë edhe me humbje jete.
Policia e Qarkullimit Rrugor ka shkuar në vendngjarje për të dokumentuar aksidentin dhe për të disiplinuar trafikun e rënduar që në orët e para të mëngjesit.
Pavarësisht aksidenteve të shumta në këtë pikë, prej vitesh nuk është bërë asnjë investim për ndryshimin dhe përmirësimin e situatës nga autoriteti rrugor shqiptar dhe situata vijon e njëjtë.
