Bashkia Divjakë kërkon që qëndrimi i saj për reformën administrativo-territoriale të merret në konsideratë nga Komisioni i Ligjeve. Kërkesa u përmend në mbledhjen e Komisionit nga deputeti i opozitës Saimir Korreshi i cili ngriti pikëpyetje mbi mënyrën dhe afatet e administrimit të qëndrimeve të pushtetit vendor.

Korreshi tha se bashkitë i janë drejtuar Kuvendit të Shqipërisë dhe jo institucioneve të tjera, ndaj sipas tij, shkresat dhe propozimet e tyre duhet të jenë pjesë e diskutimit parlamentar.

Deputeti demokrat e krahasoi mënyrën e administrimit të qëndrimit të Bashkisë Divjakë me procedurën e ndjekur për nismën e opozitës, duke pretenduar se kjo e fundit është trajtuar me një ritëm më të ngadaltë.

Me tone ironike, Korreshi iu referua edhe datave të depozitimit të dokumenteve, duke pyetur pse një nismë është proceduar menjëherë, ndërsa ajo e opozitës, sipas tij, është lënë të presë.

Debati u shoqërua me replika nga Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, i cili mohoi që nisma e opozitës të jetë lënë jashtë procedurës. Manja tha se edhe projektligji i depozituar nga opozita është përcjellë për shqyrtim te bashkitë, sipas të njëjtës procedurë.

Përplasjet mes deputetëve vijuan gjatë diskutimit të reformës administrativo-territoriale, ndërsa opozita kërkoi që Komisioni të njihet me të gjitha qëndrimet e ardhura nga pushteti vendor dhe që shqyrtimi të mos përfundojë pa u administruar edhe nisma e saj.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds