Shqipëria do të vijojë të mbetet nën ndikimin e masave ajrore të qëndrueshme dhe të nxehta gjatë gjatë fundjavës.

Vala e të nxehtit ka përfshirë edhe qytetin e Lushnjës me termometrin që tregon sot 38 gradë Celsius, e cila kanë ndikuar ndjeshëm në përditshmërinë e qytetarëve. Në orët e mesditës rrugët dhe sheshi i qytetit janë boshatisur, pasi qytetarët kanë preferuar të qëndrojnë në ambiente të mbyllura ose në hije për t’iu shmangur vapës përvëluese. Por jo të gjithë i shmangen vapës si persona që kanë pasur detyrime të domosdoshme, punonjësit e ndërtimit apo edhe efektivët e policisë rrugore. Konsumi i ujit, pijeve freskuese dhe akulloreve është rritur ndjeshëm gjatë këtyre ditëve me temperatura ekstreme.

Sipas parashikimit meteorologjik edhe fillimi i javës së ardhshme do të karakterizohet nga mot i nxehtë dhe i kthjellët, me temperatura që do të vijojnë të jenë të larta dhe në disa zona mund të arrijnë sërish në 40-41 gradë Celsius.

Nga dita e martë parashikohet një rënie e lehtë e temperaturave, megjithëse moti do të mbetet tipik veror dhe i nxehtë.

Mjekët u bëjnë apel qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë kësaj periudhe. Ata këshillojnë shmangien e daljeve në orët më të nxehta të ditës, nga ora 11:00 deri në 17:00, veçanërisht për të moshuarit, fëmijët dhe personat që vuajnë nga sëmundje kronike. Po ashtu rekomandohet konsumimi i ujit, lëngjeve dhe frutave të freskëta sa më shumë, përdorimi i veshjeve të lehta dhe qëndrimi në ambiente të freskëta. Mjekët theksojnë se në rast të shfaqjes së marramendjes, dobësisë, temperaturës së lartë të trupit apo vështirësive në frymëmarrje, qytetarët duhet të kërkojnë menjëherë ndihmë mjekësore.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds