Drejtoria Rajonale e Bordit të Kullimit Fier po vijon punën për rehabilitimin e argjinaturave që pësuan dëmtime gjatë përmbytjeve të fundvitit 2025 dhe janarit 2026. Ndërhyrjet janë përqendruar në segmentet më problematike, me synimin për të rritur sigurinë e zonave bujqësore dhe për të minimizuar rrezikun nga përmbytjet në sezonet me reshje intensive. Specialistja e Bordit të Kullimit Elida Boçova shprehet se aktualisht puna është fokusuar në argjinaturën e lumit Vjosë, ndërsa paralelisht po kryhen ndërhyrje edhe në argjinaturën e lumit Seman.
Nga vërshimet e janarit u dëmtua edhe bankina e kanalit vaditës, e njohur si dega e Martinës, e cila shërben njëkohësisht si argjinaturë mbrojtëse.
Punimet në argjinaturën e Vjosës përfshijnë rehabilitimin e rreth 3.4 kilometrave, ndërsa pas përmbytjeve të vitit 2017 ishte investuar në afro 4.6 kilometra të kësaj vepre mbrojtëse. Sipas specialistëve mbeten ende segmente problematike, veçanërisht në zonën e Mallakastrës, ku ndërhyrjet do të vijojnë në një fazë të mëvonshme.
Ndërkohë argjinatura e lumit Seman konsiderohet sfida më e madhe. Sipas specialistëve të Bordit të Kullimit, ajo ka nevojë për një studim të detajuar hidroteknik për të vlerësuar kapacitetin e saj përballë prurjeve të lumit dhe shkarkimeve nga hidrocentrali i Banjës, si hap i domosdoshëm për një rikonstruksion afatgjatë.
