Një ditë më parë deputeti i Partisë Demokratike Saimir Korreshi publikoi në rrjetet sociale pamje nga ambientet e repartit zjarrfikës të Lushnjës, ku tregoi kushtet në të cilat punojnë efektivët. Krahas videove deputeti publikoi edhe një mesazh, që sipas tij i ishte dërguar nga një punonjës i këtij reparti.
Në mesazh ngrihej shqetësimi jo vetëm për kushtet e ambienteve, por edhe për pagat e punonjësve të cilat sipas denoncimit nuk po u jepen në kohë.
Kryetarja e Bashkisë Lushnjë Eriselda Sefa reagoi përmes një prononcimi duke i cilësuar si “shpifje” akuzat e deputetit Korreshi.
Debati vijoi me kundërpërgjigjen e deputetit Saimir Korreshi i cili e ftoi Kryetaren e bashkisë që të vizitojnë së bashku ambientet e Shërbimit Zjarrfikës. Korreshi vuri gjithashtu në pikëpyetje projektet e investimit të përmendura nga Kryebashkiakja për përmirësimin e kushteve.
Ndërkohë Kryetari i Grupit të Opozitës në Këshillin Bashkiak Lushnjë Klement Çela sqaroi procesin e investimit të parashikuar për përmirësimin e kushteve dhe godinës së Shërbimit Zjarrfikës.
