Grupi fenomen i K-popit, BTS ka njoftuar se nuk do ta paraqesë muzikën e tij për shqyrtim në Çmimet Grammy 2027, duke dërguar një mesazh të fortë vetëm pak javë pasi Akademia e Regjistrimeve prezantoi një kategori të re të dedikuar për muzikën pop aziatike.
Të shtatë anëtarët e grupit: RM, Suga, J-Hope, Jimin, V, Jung Kook dhe Jin, publikuan të njëjtën deklaratë në rrjetet sociale, ku shpjeguan arsyen e vendimit të tyre.
Shpresojmë që muzika jonë të dëgjohet dhe të vlerësohet për atë që është, në vend që të ndahet sipas rajonit ose gjuhës. Falënderojmë ARMY-n dhe të gjithë ata që kanë qenë gjithmonë pranë nesh-thuhet në deklaratën e përbashkët.
Vendimi vjen pasi Akademia e Regjistrimeve prezantoi pesë kategori të reja për edicionin e ardhshëm të Grammy-ve, mes tyre edhe “Performanca më e Mirë Pop Aziatike”, ku përfshihen artistë të K-pop, J-pop, C-pop dhe zhanreve të tjera të ngjashme.
Krijimi i kësaj kategorie ka nxitur debat mes fansave dhe pjesës së industrisë muzikore. Disa e kanë përshëndetur si një hap drejt përfaqësimit më të madh të artistëve aziatikë, ndërsa të tjerë e kanë kritikuar, duke argumentuar se krijon një ndarje të panevojshme sipas rajonit dhe gjuhës, në vend që artistët të konkurrojnë në kategoritë kryesore.
Pavarësisht suksesit të jashtëzakonshëm global, BTS ende nuk ka fituar një çmim Grammy. Grupi është nominuar pesë herë, përfshirë tri nominime në kategorinë “Best Pop Duo/Group Performance”, një nominim për “Album of the Year” për kontributin në albumin Music of the Spheres të Coldplay dhe një tjetër për “Best Music Video” me këngën Yet to Come.
Një moment historik për muzikën koreane në Grammy u shënua vetëm këtë vit, kur kënga “Golden”nga filmi i animuar i Netflix KPop Demon Hunters fitoi çmimin për Këngën më të Mirë për Median Vizuale, duke u bërë projekti i parë i lidhur me K-popin që triumfon në këtë ceremoni.
Ndërkohë, BTS u rikthye këtë vit pas një pauze gati katërvjeçare, e shkaktuar nga përmbushja e shërbimit të detyrueshëm ushtarak nga anëtarët e grupit në Korenë e Jugut.
Rikthimi u shënua me publikimin e albumit “ARIRANG”, projekti i pestë në studio i grupit me 14 këngë, i cili shënon një kapitull të ri në karrierën e një prej formacioneve më të suksesshme në historinë e muzikës pop.
