Gjykata e Lartë Rajonale e Mynihut ka dhënë një vendim historik duke dënuar me burgim të përjetshëm dy anëtarë irakianë të organizatës terroriste të “Shtetit Islamik” (ISIS).

Çifti, i identifikuar si Tuana H.S. dhe Azia R.A., u shpallën fajtorë për pjesëmarrje në gjenocid, skllavërim të të miturve, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Sipas vendimit të gjykatës, ngjarjet e rënda kanë ndodhur midis viteve 2015 dhe 2017 në rajonin e kontrolluar nga ISIS midis Irakut dhe Sirisë. Çifti fillimisht rrëmbeu një vajzë vetëm 5 vjeçare të komunitetit jazidi, ndërsa më vonë në duart e tyre ra edhe një vajzë tjetër 12-vjeçare.

Të dy fëmijët u detyruan të jetonin si skllave në shtëpinë e çiftit, ku u bënë viktima të një dhune sistematike fizike, psikologjike dhe abuzimi seksual. Përveç dhunës, të miturat detyroheshin me forcë të përqafonin ideologjinë radikale terroriste të rrëmbyesve të tyre.

Detajet e zbardhura nga gjykimi kanë qenë tronditëse. Burri, Tuana H.S., dyshohet se i ka përdhunuar të dyja vajzat disa herë. Nga ana tjetër, bashkëshortja e tij, Azia R.A., luante një rol aktiv dhe mizor në këto krime.

Ajo kujdesej për përgatitjen e dhomës ku kryhej abuzimi dhe i lyente vajzat me grim përpara çdo akti. Për më tepër, gruaja u shkaktonte qëllimisht djegie në trup fëmijëve dhe i dënonte ato duke i detyruar të qëndronin në njërën këmbë për orë të tëra.

Në vitin 2017, kur “Shteti Islamik” filloi të shpërbëhej dhe u dëbua nga rajonet që kontrollonte, çifti vendosi të arratisej nga Siria. Megjithatë, ata nuk i liruan dy vajzat e mitura, por ia dorëzuan ato anëtarëve të tjerë të organizatës terroriste, duke ua humbur gjurmët.

Pas disa vitesh në arrati, drejtësia arriti t’i kapte. Në prill të vitit 2024, dy terroristët u arrestuan në landin e Bavarisë në Gjermani. Procesi gjyqësor ndaj tyre u përmbyll me dënimin maksimal, duke shënuar një tjetër hap të rëndësishëm në ndjekjen ndërkombëtare të krimeve të gjenocidit të kryera nga ISIS ndaj popullsisë jazidi.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds