Aktori neozelandez Sam Neill ka ndërruar jetë në moshën 78-vjeçare.

Lajmi u bë i ditur nga familja e tij përmes një deklarate të publikuar në llogarinë zyrtare të aktorit në Instagram.

Shkaku i vdekjes nuk është bërë publik, megjithëse Neill kishte zbuluar më herët se kishte mposhtur kancerin pasi ishte diagnostikuar në vitin 2022 me limfomë angioimunoblastike të qelizave T në fazën e tretë, një formë e rrallë e kancerit të gjakut.

Në deklaratën e familjes thuhet se aktori ndërroi jetë në Sydney të Australisë, i rrethuar nga njerëzit e tij më të afërt.

“Me trishtim të thellë familja e Sam Neill njofton vdekjen e tij. Sam ishte i rrethuar nga familja dhe u largua nga kjo jetë me dinjitetin që e karakterizoi gjithmonë. Humbja ishte e papritur, por jemi të bekuar që ai mbeti pa kancer. Falënderojmë stafin e Spitalit Privat të Shën Vincentit për kujdesin e jashtëzakonshëm dhe kërkojmë që të respektohet privatësia jonë në këtë moment të vështirë”, thuhet në deklaratë.

Pas lajmit për ndarjen e tij nga jeta, kryeministri australian Anthony Albanese i bëri homazhe aktorit, duke theksuar kontributin e tij në kinemanë australiane dhe ndërkombëtare.


“Sam Neill luajti në kaq shumë histori të dashura australiane dhe fitoi një vend të veçantë në zemrat e australianëve. Ai luftoi sëmundjen me dinjitet, humor dhe forcë. Do të na mungojë shumë dhe do të kujtohet gjithmonë. U prehtë në paqe”, shkroi Albanese.

Sam Neill lindi në vitin 1947 në Omagh të Irlandës së Veriut dhe u rrit në Zelandën e Re. Ai u bë i njohur ndërkombëtarisht me rolin e Dr. Alan Grant në filmin “Jurassic Park” të Steven Spielberg, ndërsa interpretoi edhe në filma të suksesshëm si “The Piano”, “The Hunt for Red October”, “The Tudors”, “Peaky Blinders”, “Event Horizon”, “The Hunt for the Wilderpeople” dhe shumë prodhime të tjera.

Gjatë një karriere që zgjati më shumë se pesë dekada, Neill interpretoi në mbi 150 filma dhe seriale televizive, duke u kthyer në një nga aktorët më të njohur të kinemasë botërore. Ai u nderua me titullin “Sir” në Zelandën e Re për kontributin e tij në art.

Aktori lë pas katër fëmijë dhe gjashtë nipër e mbesa.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds