“Revolucioni i Flamingo-ve” në Shqipëri vijoi edhe gjatë fundjavës.  Kohët e fundit pati edhe zemërim për dhunën policore kundër demonstruesve”, kështu e ka nisur artikullin e saj televizioni publik austriak ORF.

Në artikull theksohet se protesta e së shtunës në Tiranë, ishte më e madhja që nga fillimi i demonstratave në fund të majit, ndërsa që nisi si një lëvizje mjedisore në mbrojtje të zonave të mbrojtura dhe flamingove, është  kthyer në një protestë drejtuar edhe kundër qeverisë shqiptare.

“Demonstruesit, të cilët prej javësh dalin çdo ditë në rrugë, denoncojnë korrupsionin në vend dhe kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama”, thuhet në shkrim.

Më tej media austriake flet specifikisht për atë që ndodhi në protestën e ditës së enjte para Kuvendit.

“Të enjten, shumë protestues u mblodhën për herë të dytë gjatë asaj jave para Parlamentit, për të penguar deputetët të hynin në ndërtesë. Policia përdori gaz lotsjellës dhe autobotë me ujë. Protestuesit hodhën vezë, gurë dhe sende të tjera, si edhe u përpoqën të çanin kordonët policorë. Sipas policisë, 15 efektivë u plagosën dhe 25 protestues u arrestuan.

Organizata për të drejtat e njeriut Komiteti Shqiptar i Helsinkit (AHK) shprehu të shtunën shqetësim për përshkallëzimin e situatës gjatë protestave. Sipas AHK-së, aktet e dhunshme të individëve nuk mund të justifikojnë përdorimin joproporcional të forcës nga policia. Aktivistët për të drejtat e njeriut deklaruan se policia përdori gaz lotsjellës pa paralajmërim dhe goditi persona të shtrirë në tokë”, përfundon artikulli.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *