575 maturantë të Lushnjës ashtu si mijëra bashkëmoshatarë të tyre në të gjithë vendin iu nënshtruan sot provimit të tretë të Maturës Shtetërore, atij të Matematikës.

Provimi nisi në orën 10:00 dhe zgjati deri në orën 12:30 duke u zhvilluar nën masa të rrepta sigurie dhe sipas rregullores së përcaktuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit. Maturantët u paraqitën në qendrat e testimit të pajisur me dokument identifikimi dhe mjetet e nevojshme shkollore, ndërsa u ndalua përdorimi i telefonave celularë, orëve inteligjente dhe çdo pajisjeje që mundëson komunikim elektronik apo lidhet me inteligjencën artificiale.

Gjithashtu nuk u lejua përdorimi i materialeve të paautorizuara, kopjimi apo komunikimi mes nxënësve gjatë zhvillimit të testit. Autoritetet arsimore kishin forcuar masat e monitorimit, ndërsa për çdo shkelje të rregullores parashikohej përjashtimi i menjëhershëm nga provimi.

Sipas Ministrisë së Arsimit, testi është hartuar në përputhje me programin mësimor dhe është i shkallëzuar sipas niveleve të nxënësve, me qëllim vlerësimin sa më të drejtë të njohurive dhe diferencimin e meritës për pranimet në universitet.

Më 23 qershor, maturantët do t’i nënshtrohen provimit të fundit me zgjedhje duke përmbyllur kështu Maturën Shtetërore dhe një etapë të rëndësishme të rrugëtimit të tyre arsimor.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds