Sezoni veror duket se ka mbërritur më herët këtë vit. Në Lushnjë dhe në të gjithë vendin, ditët e para të qershorit janë shoqëruar me temperatura të larta, duke lënë pas një pranverë të shkurtër.

Qytetarët po i përshtaten temperaturave të larta duke shmangur daljet gjatë orëve të pikut dhe duke zgjedhur të kryejnë aktivitetet e përditshme në orët e paradites ose gjatë mbrëmjes, kur temperaturat janë më të përballueshme. Sheshet dhe rrugët e qytetit duken më pak të frekuentuara në intervalin nga ora 11:00 deri në 16:00, kur vapa arrin kulmin.

Të moshuarit, por edhe prindërit me fëmijë të vegjël shmangin ekspozimin e gjatë në diell gjatë këtyre orëve.

Meteorologët paralajmërojnë se vala e të nxehtit do të vijojë edhe në ditët në vazhdim, me temperatura që në disa zona të vendit mund t’i afrohen 40 gradë Celsius. Specialistët e shëndetit këshillojnë konsumimin e sa më shumë lëngjeve, përdorimin e veshjeve të lehta dhe shmangien e aktiviteteve fizike në orët më të nxehta të ditës.

Ditët më të vështira pritet të jenë fundjava dhe fillimi i javës së ardhshme, ndërsa qytetarët po përshtaten me ritmin e një vere që ka ardhur më herët se zakonisht.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds