Dy persona janë arrestuar në flagrancë dhe dy të tjerë janë proceduar penalisht, pasi dyshohet se kanë ndezur zjarre në zona të ndryshme të Lushnjës, Fierit dhe Mallakastrës.
Policia e Fierit ka intensifikuar kontrollet dhe monitorimin e territorit, në kuadër të masave për parandalimin e zjarrvënieve dhe identifikimin e autorëve, veçanërisht në këtë periudhë me temperatura të larta dhe rrezik të shtuar për përhapjen e flakëve.
Në Lushnjë, në fshatin Eskaj është arrestuar në flagrancë 60-vjeçari me inicialet K. B., pasi u konstatua duke ndezur qëllimisht zjarr në tokën që kishte marrë me qira.
Një tjetër rast është evidentuar në zonën e mbrojtur Divjakë-Karavasta, në fshatin Hasturkas. Policia ka arrestuar 25-vjeçarin E. S., banues në Fier i cili dyshohet se ka ndezur zjarr në grykëderdhjen e lumit Seman. Flakët kanë përfshirë bimësi dhe një sipërfaqe të konsiderueshme të pyllëzuar, pjesë e zonave të mbrojtura.
Ndërkohë dy persona të tjerë 71 dhe 77 vjeç janë proceduar penalisht për zjarrvënie në tokat e tyre. Rastet janë regjistruar në fshatin Varibop të Fierit dhe në Çërrilë të Mallakastrës.
Sipas policisë, në të dyja rastet, zjarret kanë dalë jashtë kontrollit për shkak të erës së fortë, duke përfshirë sipërfaqe me bimësi.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Fierit për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.
Policia e Fierit u bën apel qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal dhe të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarre, pasi pasojat mund të jenë të rënda për jetën e njerëzve, pronën dhe mjedisin.
Në mënyrë të veçantë, apeli u drejtohet banorëve që djegin mbetje bujqësore apo pastrojnë tokat përmes djegies. Policia paralajmëron se këto praktika mund të çojnë në përhapjen e pakontrolluar të flakëve dhe të sjellin përgjegjësi ligjore.
