Dy aksidente të rënda rrugore janë regjistruar brenda 24 orëve në rrugët e Lushnjës duke lënë disa persona të plagosur.

Rreth orës 01:00 të mëngjesit të së enjtes, në rrethrrotullimin e Kolonjës një automjet tip fuoristradë doli nga rruga, u përplas tek barrierat metalike, i kapërceu ato dhe përfundoi në kanalin poshtë urës, në një thellësi prej rreth 5 metrash.

Për nxjerrjen e dy bashkëshortëve që udhëtonin në automjet u desh ndërhyrja e menjëhershme e zjarrfikësve të Lushnjës dhe e stafit mjekësor të ambulancës. Të plagosurit u transportuan me urgjencë në spitalin e qytetit, ku morën ndihmën mjekësore.

Sipas të dhënave paraprake të policisë rrugore, shpejtësia e lartë dhe lagështia në asfalt, për shkak të reshjeve intensive të shiut dyshohet se kanë bërë që drejtuesi të humbiste kontrollin e automjetit dhe të mos arrinte të merrte kthesën në rrethrrotullim. Pritet ekspertiza për përcaktimin e plotë të shkaqeve, ndërsa fatmirësisht nuk pati viktima. Rrethrrotullimi i Kolonjës njihet si një nga pikat e rrezikshme të qarkullimit, ku në të kaluarën janë shënuar edhe aksidente me pasoja fatale.

Ndërkohë aksidenti tjetër është regjistruar në aksin nacional Berat–Lushnjë, pranë fshatit Barbullinjë. Një autobus i linjës Berat–Tiranë, me shumicën e udhëtarëve turistë është përplasur me një automjet tip BMW. Përplasja ka qenë e fortë duke shkaktuar lëndime të lehta te disa prej pasagjerëve, ndërsa drejtuesi i autoveturës është transportuar në spital.

Sipas informacioneve paraprake makina tip BMW dyshohet se i ka prerë rrugën autobusit. Pavarësisht frenimit, drejtuesi i këtij të fundit nuk ka mundur të shmangë përplasjen, e cila ka qenë aq e fortë sa autovetura ka përfunduar në murin rrethues të një biznesi pranë rrugës.

Policia rrugore në vendngjarje kreu veprimet hetimore për të përcaktuar shkaqet e aksidentit, kurse udhëtarët, kryesisht shtetas të huaj u nisën me një autobusi tjetër drejt destinacionit të tyre.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds