Me mesazhe shprese dhe thirrje për kujdes ndaj shëndetit Njësia e Kujdesit Shëndetësor organizoi aktivitetin përmbyllës të fushatës së Tetorit Rozë. Gra dhe vajza u bënë pjesë e kësaj veprimtarie sensibilizuese, ku u theksua rëndësia e kontrolleve të rregullta dhe zbulimi i hershëm i kancerit të gjirit.
Dy zonja ndanë përvojat e tyre personale me sëmundjen duke përcjellë mesazhin se me diagnostikim në kohë, trajtim dhe kurajo kanceri i gjirit mund të mposhtet.
Përfaqësuesja e Personelit Shëndtësor dhe Drejtori i spitalit Denis Korreshi u bënë thirrje grave dhe vajzave të mos neglizhojnë shëndetin duke kujtuar se mamografia dhe ekoja e gjirit ofrohen falas në spital dhe në Qendrën Shëndetësore me rekomandimin e mjekut të familjes.
Ndryshe nga vitet e tjera, aktiviteti u zhvillua në ambientet e një kalçetoje dhe jo në qendër të qytetit duke kufizuar pjesëmarrjen e shumë grave dhe vajzave dhe duke i dhënë më pak forcë mesazhit që duhet të mbërrijë te çdo grua e cila e shtyn kontrollin nga frika, pasiguria apo mungesa e informacionit. Gjithashtu media nuk u njoftua.
Tetori Rozë nuk duhet të jetë vetëm një muaj me fjongo rozë, fotografi dhe aktivitete sensibilizuese, por një thirrje që dëgjohet gjatë gjithë vitit, një kujtesë se pas çdo vonese mund të fshihet një rrezik dhe se pas çdo kontrolli në kohë mund të shpëtohet një jetë.
