Kupa “Pasardhësi”, në edicionin e saj të pestë, mblodhi në Lushnjë talentet e vegjël të futbollit në një aktivitet sportiv dhe edukativ. Turneu u zhvillua në aneksin e stadiumit Stadiumi Roza Haxhiu dhe u organizua nga Shoqata Kulturore Bektashiane, në nder të ditëlindjes së Baba Mondit.
Në këtë aktivitet morën pjesë gjashtë ekipe, ku katër prej tyre ishin të grupmoshës U11 dhe dy të grupmoshës U9. Në fushën e lojës u përballën ekipet: Lushnja 1920, Apollonia Fier, Egnatia, Akademia Jek Baze Dushk, Akademia Lushnje U9 dhe Akademia Arnisa Lushnje.
Përtej konkurrencës sportive, ky aktivitet synoi të promovojë frymën e bashkëpunimit, respektit dhe miqësisë mes fëmijëve. Në përfundim të turneut, të gjitha ekipet pjesëmarrëse u vlerësuan me nga një kupë, ndërsa çdo lojtar u pajis me medalje dhe certifikatë pjesëmarrjeje.
Kryetari i Shoqatës Kulturore Bektashiane, Kujtim Baze, u shpreh se aktivitete të tilla sportive ndihmojnë në edukimin dhe formimin e fëmijëve, duke i afruar ata më shumë me sportin dhe me vlerat pozitive që ai përcjell. Sipas tij, këto iniciativa shërbejnë për të nxitur talentet e reja, por edhe për të krijuar një frymë bashkimi dhe bashkëjetese mes të rinjve.
