Qendrat shëndetësore në Lushnjë kanë nisur vaksinimin e popullatës kundër gripit stinor, me qëllim mbrojtjen nga virusi dhe parandalimin e komplikacioneve që ai mund të shkaktojë. Drejtoresha e Qendrës Shëndetësore nr. 1, doktoreshë Athina Doka bën me dije se në total janë shpërndarë 13 mijë doza të vaksinës trevalente të inaktivizuar dhe deri tani janë aplikuar 6 mijë e 253 doza.
Procesi i vaksinimit nis me grupet e rriskut si personeli shëndetësor, mësuesit, edukatorët, punonjësit e policisë, pacientët me sëmundje kronike dhe personat mbi 60 vjeç. Këto kategori konsiderohen më të ekspozuara ndaj virusit ose më të rrezikuara nga ndërlikimet e tij.
Doktoresha u bënë thirrje qytetarëve që të vaksinohen, pasi vaksina në dozën 0,5 mililitër ndihmon në parandalimin e formave të rënda të gripit dhe në mbrojtjen e shëndetit, duke kontribuar edhe në shpëtimin e jetëve.
Vaksinimi kundër gripit stinor kryhet falas në qendrat shëndetësore, sipas kalendarit dhe udhëzimeve të mjekut të familjes.
