Në ambientet e Muzeut Historik në Lushnjë u zhvillua një dëgjesë publike për propozimin e rritjes së tarifave të ujit të pijshëm. Në takim morën pjesë përfaqësues të Ujësjellës-Kanalizimeve, anëtarë të Këshillit Bashkiak, përfaqësues të mediave dhe qytetarë.
Administratori i UKL-së Klajdi Shkurti prezantoi një përmbledhje të shpenzimeve, humbjeve në rrjet, investimeve dhe propozimit për ndryshimin e tarifave. Sipas propozimit tarifa për abonentët familjarë pritet të rritet nga 62 në 74 lekë për metër kub, ndërsa për bizneset propozohet një tarifë prej 148 lekësh për metër kub.
Propozimi për rritjen e tarifave u kundërshtua nga kryetari i Këshillit Bashkiak dhe anëtarë të këshillit, të cilët shprehën qëndrimet e tyre kundër kësaj mase gjatë diskutimeve.
Një tjetër çështje e ngritur gjatë dëgjesës ishte cilësia e ujit të pijshëm. Dy inxhinierë drejtuan pyetje ndaj përfaqësuesve të ujësjellësit, duke kërkuar sqarime lidhur me problematikat e furnizimit dhe cilësinë e ujit.
Dëgjesa u mbyll pas diskutimeve të shumta dhe debateve mbi tarifat e propozuara, cilësinë e ujit të pijshëm dhe problematikat e sistemit të kanalizimeve, veçanërisht në qytetin e Lushnjës. Gjatë takimit u ngritën shqetësime për shërbimin ndaj qytetarëve dhe nevojën për përmirësimin e infrastrukturës së ujësjellësit dhe kanalizimeve.
