Policia e Shtetit ka finalizuar dy ndalime të rëndësishme lidhur me ngjarje kriminale të ndodhura ditët e fundit në kryeqytet.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Gjurmimi”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 Tiranë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kavajë, kanë bërë të mundur kapjen dhe ndalimin e shtetasit S. D., 33 vjeç. Ky person ishte shpallur në kërkim pasi dyshohet se më datë 14.10.2026, në rrugën “Kadri Prishtina”, ka plagosur me armë zjarri në këmbë shtetasin G. A., 54 vjeç. Ndaj tij rëndojnë veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Ndërkohë, Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda ndaj Personit në DVP Tiranë kanë ndaluar edhe shtetasin V. T., 30 vjeç. I riu dyshohet se më datë 10.09.2026, në bashkëpunim me persona të tjerë ende të paidentifikuar, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të një servisi pranë mbikalimit të Kasharit. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e 30-vjeçarit, policia gjeti dhe konfiskoi një fenelinë të ngjashme me ato që përdoren nga shërbimet e policisë. Hetimet po vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë ngjarje.
Materialet procedurale për të dyja çështjet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë për veprime të mëtejshme.
