Me rastin e 82-vjetorit të çlirimit të Lushnjës, Qendra Kulturore e Fëmijëve organizoi një koncert festiv në ambientet e këtij institucioni, ku protagonistë ishin fëmijët të cilët përmes këngës, recitimit dhe kërcimit sollën një atmosferë festive.

Aktiviteti nisi me këngë partizane të interpretuara live që rikujtuan sakrificat e atyre që luftuan për çlirimin e vendit duke përcjellë tek të pranishmit mesazhe për atdhedashurinë, lirinë dhe rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike.

Programi artistik vijoi me recitime, ku fëmijët interpretuan vargje kushtuar atdheut, historisë dhe figurave që kontribuan në çlirimin e vendit.

Koncerti vazhdoi me valle popullore dhe kërcime aerobike që fëmijët i kërcyen me energji dhe entuziazëm duke ndërthurur traditën me elemente të artit dhe të lëvizjes bashkëkohore.

Prindërit të cilët kishin mbushur ambientet e qendrës për të ndjekur performancat e fëmijëve të tyre, ndoqën me interes çdo numër artistik duke i shoqëruar interpretimet me duartrokitje. Koncerti shërbeu jo vetëm si një aktivitet përkujtimor, por edhe si një mundësi për të promovuar talentet e vogla dhe për të nxitur përfshirjen e tyre në jetën kulturore të qytetit.

Në përfundim të aktivitetit Drejtori i Qendrës Kulturore të Fëmijëve Saimir Bahja falenderoi fëmijët për performancën e tyre, stafin për punën dhe përkushtimin në përgatitjen e koncertit, si dhe prindërit për mbështetjen dhe praninë e tyre.

Përmes këtij koncerti festiv Qendra Kulturore e Fëmijëve në Lushnjë iu bashkua aktiviteteve përkujtimore të 82-vjetorit të çlirimit të qytetit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds