Pas suksesit global me “Waka Waka” dhe “La La La”, Shakira rikthehet sërish në skenën e Botërorit. Artistja kolumbiane ka njoftuar se kënga e saj më e re, “Dai Dai”, do të jetë himni zyrtar i Kupës së Botës 2026, që do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara, Meksikë dhe Kanada. Kënga publikohet më 14 maj dhe pritet të sjellë ritme festive e energji sportive.
Shakira është gati të rikthejë magjinë e Botërorit. Pas hiteve që shënuan historinë e futbollit dhe muzikës, artistja me famë botërore ka konfirmuar se kënga e saj e re, “Dai Dai”, do të jetë himni zyrtar i Kupës së Botës 2026.
Lajmi u bë publik përmes një postimi në rrjetet sociale, ku Shakira shfaqet në stadiumin legjendar Maracana, e veshur me ngjyrat e futbollit dhe e shoqëruar nga kërcimtare e topa futbolli.
Kënga pritet të publikohet më 14 maj dhe fansat besojnë se “Dai Dai” do të sjellë të njëjtën energji festive që bëri “Waka Waka” një fenomen global në Botërorin e Afrikës së Jugut në vitin 2010.
Kjo është hera e tretë që Shakira lidhet me një Kupë Bote, pas suksesit të “Waka Waka” në vitin 2010 dhe “La La La” në Brazil 2014.
Publikimi i këngës do të shërbejë edhe si nisje e fushatës muzikore të FIFA-s për Botërorin 2026, që këtë verë do të bashkojë tifozët në tre shtete pritëse Shtetet e Bashkuara, Meksikë dhe Kanada.
Me ritme latine, atmosferë feste dhe emocion futbolli, Shakira synon të ndezë edhe një herë skenën më të madhe sportive në botë.
