Prokuroria e Fierit ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq Ermalinda Ramën, e akuzuar për vrasjen e babait të saj, Anesti Rama, si dhe nënën e saj, Valbona Rama, për fshehjen e gjurmëve të krimit.

Ngjarja ndodhi më 23 korrik 2025, në banesën e familjes në fshatin Frashër të Patosit. Sipas hetimeve, vajza i shkaktoi të atit vdekjen me anë të një laku teli, ndërsa nëna e saj dyshohet se pastroi vendin e ngjarjes dhe trupin e viktimës për të fshehur provat përpara mbërritjes së policisë.

Ermalinda Rama akuzohet për “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”, ndërsa Valbona Rama për “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Në njoftimin zyrtar Prokuroria e Fierit shkruan se përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasen E.R., e akuzuar për kryerjen e veprës penale ‘Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare’ dhe shtetasen V.R., e akuzuar për kryerjen e veprës penale ‘Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës’.

Në përfundim të hetimeve rezultoi se më 23/07/2025, në banesën e familjes, në fshatin Frashër, Patos, shtetasja E.R. ka vrarë babain e saj, shtetasin A.R., duke i shtrënguar qafën me një lak teli, duke i shkaktuar asfiksi dhe vdekjen e menjëhershme.

Pas ngjarjes dhe përpara mbërritjes së shërbimeve të policisë, shtetasja V.R., bashkëshortja e viktimës dhe nëna e të akuzuarës, ka kryer veprime për pastrimin e ambientit ku u gjet viktima dhe për larjen e trupit të tij. Këto veprime kanë pasur si qëllim ndryshimin ose fshehjen e gjurmëve dhe pengimin e zbulimit të së vërtetës.

Nga analiza e deklarimeve të administruara, rezultateve të ekspertimit mjeko-ligjor, këqyrjes së vendit të ngjarjes, sendeve të sekuestruara dhe provave të tjera të administruara gjatë hetimit, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Pëtgjithshëm Fier arriti në përfundimin se shtetasja E.R. ka kryer veprimet që kanë sjellë vdekjen e babait të saj, ndërsa shtetasja V.R. ka kryer veprimet e mësipërme me qëllim pengimin e zbulimit të së vërtetës.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds